Gjykata i liron me kusht 3 policë në rastin e diskotekës “Puls”

Gjykata Penale në Shkup ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar vetëm me kusht tre punonjësit e policisë, Kire Bogatinov, Goran Lazarov dhe Aleksandar Temelkov, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rastin tronditës të diskotekës “Puls” në Koçan, përcjell INA.

Edhe pse ligji për vepra të tilla parashikon deri në 10 vite burg efektiv, gjykata ka vendosur dënime me kusht prej një dhe dy vitesh, me arsyetimin se zyrtarët nuk kishin kryer detyrën gjatë kontrolleve, duke falsifikuar procesverbalet dhe duke vendosur gjoba ndaj një firme jekzistente për të mbrojtur pronarin e objektit.

Ky vendim ka shkaktuar një revoltë të paprecedentë te “Shoqata e Qytetarëve 16 Marsi 2025”, e formuar nga prindërit e 63 viktimave që humbën jetën në zjarrin tragjik, të cilët e kanë cilësuar këtë akt si një “drejtësi formale” dhe një sinjal të qartë se sistemi po mbron veten në vend që të ballafaqohet me dështimet e tij kriminale.

Në reagimin e tyre të ashpër, familjarët theksuan se ky disproporcion drastik mes fajit të vërtetuar dhe dënimit të shqiptuar minimizon përgjegjësinë për tragjedinë që la pas qindra të lënduar dhe dhjetëra të vdekur, ndërsa kanë paralajmëruar se nuk do të heshtin deri në rishikimin e këtij verdikti nga gjykatat më të larta, duke kërkuar llogaridhënie pa kompromis për çdo hallkë shtetërore që lejoi me vetëdije paligjshmërinë shumëvjeçare në “Puls”.

Ndërkohë që këto janë dënimet e para të shkallës së parë, procesi gjyqësor vazhdon ende për 22 të akuzuar të tjerë të ndarë në dy grupe, por vendimi i sotëm ka hedhur hije të rënda dyshimi mbi paanësinë e procesit dhe vullnetin e sistemit të drejtësisë për të vendosur drejtësi të vërtetë për tragjedinë më të madhe të viteve të fundit.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit