Hedhja e mbeturinave në vende publike dhe në lumenj është bërë sërish temë diskutimi pas publikimit të disa videove nga qytetarët.
Pas pamjeve të një gruaje duke hedhur mbeturina në lumin Lepenc, është publikuar edhe një rast tjetër, ku dy persona me motor dhe rimorkio shihen duke ndaluar dhe shkarkuar mbeturina në rrugë.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, tha se po shqyrtohen mënyra për t’i inkurajuar qytetarët që të raportojnë raste të tilla, përfshirë mundësinë e shpërblimeve financiare për ata që dokumentojnë dhe denoncojnë hedhjen e paligjshme të mbeturinave.
“Unë nuk kam 2.500 apo 5.000 inspektorë që të mbikëqyr të gjitha lokacionet. Mendoj se nuk është propozim i keq që të vendosim një shumë parash për qytetarët që do të denoncojnë me fotografi kësi lloj sjelljesh”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai gjithashtu njoftoi se është drejt përfundimit procedura për vendosjen e kamerave në më shumë se 200 lokacione në Shkup, veçanërisht në zonat ku krijohen deponi të egra, si dhe në parqe dhe kënde lojërash për fëmijë.






