Qasje më e madhe në barna, reformë e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, rinovim i spitaleve dhe shëndetësi digjitale janë disa nga projektet për të cilat sot, në konferencën për shtyp, foli ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Ministri informoi se lista e re esenciale përfshin 392 barna, prej të cilave 193 janë të reja. Me modulatorë CF trajtohen 126 pacientë me fibrozë cistike, krahasuar me tre pacientë në vitin 2021. Për pacientët me sklerozë multiple janë përgatitur protokolle për terapi të dispenzuar, ndërsa nga gjithsej 835 pacientë, 491 jetojnë jashtë Shkupit. Është zhbllokuar donacioni i faktorit VIII, ndërsa për gripin sezonal janë siguruar 86.000 doza vaksinash.
„Rezultatet që po i prezantojmë nuk janë aktivitete të izoluara, por pjesë e një procesi më të gjerë të avancimit sistematik të shëndetësisë. Pas çdo shifre qëndron një ndryshim konkret, përkatësisht më shumë pacientë me qasje në terapi dhe qasje më e mirë në shërbimet shëndetësore“, deklaroi Klekovski.
Në spitalet janë rinovuar Reparti i Traumatologjisë në Klinikën e Kirurgjisë „Shën Naum Ohridski“ dhe Reparti i Neurofiziologjisë në Klinikën Universitare të Neurologjisë, ndërsa në Bardovc është rinovuar „Reparti 2 për meshkuj“.
Spitali Klinik i Manastirit do të pajiset me aparaturë në vlerë prej mbi 30 milionë denarësh, ndërsa në Spitalin Klinik të Tetovës janë punësuar 109 persona të cilët deri më tani kanë qenë të angazhuar me kontratë.
Në Spitalin „Shën Erazmo“ në Ohër pritet të përfundojnë aktivitetet për ndërtimin e një krahu të ri dhe katër sallave të operacionit, ndërsa rinovimi i institucioneve psikiatrike vazhdon në Demir Hisar.
Klekovski paralajmëroi reformën e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, e cila parasheh ndarjen e shërbimit nga Shtëpia e Shëndetit në Shkup, krijimin e një sistemi me paramedikë dhe riorganizimin e Qendrës Emergjente në kuadër të Qendrës Klinike.
„Fushat ku duhet të bëjmë shumë më tepër janë radiodiagnostika, onkologjia, Qendra Klinike „Nëna Terezë“ dhe, natyrisht, hartimi i konceptit për kujdesin afatgjatë“, shtoi Klekovski.
Ministri foli edhe për Strategjinë e Shëndetësisë Digjitale deri në vitin 2030 dhe digjitalizimin e shërbimeve.
„Jemi të vetëdijshëm se para nesh ka ende shumë punë. Megjithatë, është e rëndësishme që proceset janë në lëvizje, reformat po zbatohen dhe rezultatet gradualisht po bëhen të dukshme. Fokusi ynë mbetet te pacienti dhe krijimi i një sistemi shëndetësor që do të jetë i qëndrueshëm, bashkëkohor dhe i qasshëm për të gjithë qytetarët“, theksoi ministri i Shëndetësisë.








