Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka pritur në një vizitë zyrtare Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin. Në takim u diskutua për sfidat dhe perspektivat zhvillimore të qytetit, si dhe për forcimin e bashkëpunimit institucional.
Fokus i bisedimeve ishte iniciativa për hapjen e një zyre të deputetëve të rajonit në Strugë, e cila do t’u mundësonte qytetarëve komunikim më të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e tyre në Kuvend, përmes adresimit të kërkesave, propozimeve dhe shqetësimeve të tyre.
Sipas bashkëbiseduesve, një zyrë e tillë do të shërbente si urë lidhëse mes institucioneve dhe qytetarëve, duke kontribuar në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përfaqësimit të interesave lokale në nivel qendror.
Gjatë takimit u theksua gjithashtu nevoja për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe krijimin e mekanizmave që afrojnë më shumë qytetarët me proceset vendimmarrëse.
Kryetari Qyra theksoi se Komuna e Strugës mbetet e përkushtuar ndaj nismave që promovojnë institucione më të hapura dhe krijojnë mundësi më të mëdha për zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.





