Filipçe nga Krusheva: Ilindeni nderohet duke ndërtuar një të ardhme më të mirë për Maqedoninë

Advertisement

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga Krusheva, me rastin e 2 Gushtit – Ilindenit, tha se kujtimi për heronjtë e Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës ka vlerë vetëm nëse shërben si udhërrëfyes për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin.
Ai theksoi se lufta e ilindenasve nuk ishte për izolim, frikë apo ndarje, por për liri, drejtësi dhe të drejtën e popullit për të vendosur vetë për fatin e tij.
“Edhe më shumë se një shekull më vonë, kemi detyrimin ta vazhdojmë pikërisht atë rrugë. Maqedonia nuk guxon të mbetet e bllokuar në të kaluarën, të jetë një shtet nga i cili të rinjtë largohen, pensionistët mezi mbijetojnë, uji i pijshëm është i rrezikshëm dhe institucionet u shërbejnë një rrethi të ngushtë njerëzish”, deklaroi Filipçe.
Sipas tij, kujtimi për Ilindenin merr kuptim të vërtetë vetëm nëse shërben për ndërtimin e një shteti ku sundon ligji dhe jo interesi partiak, ku qytetarët kanë ujë të pastër, paga dinjitoze dhe perspektivë për të rinjtë.
Filipçe shtoi se ilindenasit luftuan kundër tiranisë së kohës së tyre, ndërsa sot, sipas tij, beteja është kundër korrupsionit, izolimit dhe patriotizmit të rremë që e mban vendin në vendnumëro.
Në fund të fjalimit, ai uroi qytetarët me rastin e festës së Ilindenit, duke theksuar se duhet të kujtohet e kaluara, por të zgjidhet e ardhmja.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit