Filipçe: Maqedonia e Veriut po mbetet prapa në procesin e integrimit evropian

Advertisement

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka kritikuar qeverinë për qasjen ndaj procesit të integrimit evropian, duke vlerësuar se vendi po largohet nga rruga drejt Bashkimit Evropian, ndërsa vendet e tjera të rajonit po shënojnë përparim.

Filipçe tha se Mali i Zi po përshpejton procesin e integrimit evropian, ndërsa edhe Shqipëria, sipas tij, po përparon në mënyrë intensive në këtë drejtim.

“Për Evropën më nuk flet askush. Mbetëm të izoluar në Ballkan dhe në Evropë, në një kohë kur nga Bashkimi Evropian vijnë sinjale se do të përshpejtohet rruga e Malit të Zi. Shqipëria po përparon gjithashtu me ritëm të shpejtë. Për ne më nuk flet askush”, tha Filipçe.

Ai shprehu kritika edhe për mënyrën se si qeveria, sipas tij, po i trajton institucionet dhe bashkëpunimin me institucionet evropiane të drejtësisë.

“E vetmja e vërtetë është se kjo Qeveri nuk dëshiron të ecë drejt Evropës, për shkak të qasjes së saj ndaj institucioneve publike dhe institucioneve evropiane të drejtësisë”, deklaroi Filipçe.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet e izoluar në procesin e integrimit evropian, ndërsa ndikimet rajonale, përfshirë ato nga Serbia, vazhdojnë të jenë pjesë e debatit politik në vend.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit