Fili Meridiani APS: në Pallagorio (Puherì), Kalabri, mbahet “Java e Muraleve Arbëreshe”,art, identitet dhe marrëdhënie ndërkombëtare nga 3 deri më 9 qershor 2026

PALLAGORIO – Nga data 3 deri më 9 qershor 2026, Pallagorio (Puherì) do të mirëpresë “Javën e
Muraleve Arbëreshe”, një nismë e rëndësishme kulturore e promovuar nga Fili Meridiani APS, në
bashkëpunim me Mural Fest Kosova, Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, nën
patronazhin e Komunës së Ferizajt, si dhe me përfshirjen e institucioneve dhe partnerëve kulturorë.
Qëllimi është vlerësimi i kujtesës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore materiale e jomateriale të
komuniteteve arbëreshe përmes të shprehurit bashkëkohor të artit urban.
Nisma lind nga dëshira për të shndërruar hapësirat urbane në vende të rrëfimit kolektiv, duke i
kthyer fasadat e shtëpive, rrugët dhe mjediset e komunitetit në një galeri të vërtetë nën qiell të
hapur, të aftë për të treguar histori, simbole, tradita dhe marrëdhënie. Përmes realizimit të muraleve
të frymëzuara nga kultura arbëreshe dhe lidhja historike me Shqipërinë e Ballkanin, katundi do të
kthehet në një hapësirë takimi mes kujtesës dhe së sotmes, ku arti bëhet një instrument
pjesëmarrjeje, dialogu dhe ndërtimi të lidhjeve të reja kulturore.
Ky aktivitet merr rëndësi të veçantë edhe në rrafshin ndërkombëtar falë pranisë së artistëve,
studentëve dhe operatorëve kulturorë nga Kosova, të cilët do të kontribuojnë në krijimin e një
përvoje të çmuar shkëmbimi dhe ballafaqimi mes realiteteve që ndajnë rrugëtime historike,
identitete dhe trashëgimi kulturore të përbashkëta. Gjatë javës do të organizohen tryeza diskutimi,
ekspozita, punëtori për më të rinjtë, evente muzikore dhe aktivitete gjithëpërfshirëse që do të
angazhojnë qytetarët, shoqatat dhe vizitorët.
Bashkëpunimi me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj përfaqëson një nga elementet
themelore të projektit dhe do të shënojë pjesëmarrjen e një delegacioni të rëndësishëm akademik e
institucional. Ky delegacion përbëhet nga Prof. Dr. Agron Bajraktari, Rektor i Universitetit, Prof.
Faton Spahiu dhe Prof. Florit Hoxha, anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit, Prof. Lebibe
Topalli, Dekane, dhe Prof. Labinot Topalli, Prodekan. Kjo prani i jep një vlerë të mëtejshme
procesit të bashkëpunimit kulturor dhe arsimor të nisur, duke fuqizuar dialogun ndërmjet
institucioneve, botës akademike dhe komunitetit, si dhe duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi
midis territoreve dhe strukturave kulturore.
Programi parashikon:
3 qershor: Mbërritja dhe mirëseardhja e grupit në Pallagorio, pranë “Muzé Spazio Arbëria”.
4 qershor: Nisja e punimeve.
5 qershor: Ekspozitë fotografike “Donne d’Arbëria” nga Lorenzo Fortunato.
7 qershor: Mbrëmje me muzikë arbëreshe me kantautorin Peppino Siciliani në Muzé.
8 qershor: Në mëngjes do të zhvillohet punëtoria me fëmijët e komunitetit. Pasdite do të mbahet
bashkëbisedimi (talk) “Roli i artit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, një moment reflektimi
dhe diskutimi kushtuar artit si mjet për mbrojtjen, vlerësimin dhe zhvillimin e komuniteteve dhe
territoreve. Në të do të marrin pjesë Prof. Dr. Agron Bajraktari, Rektor i Universitetit të Shkencave

të Aplikuara në Ferizaj, dhe Lebibe Topalli, Drejtore Artistike e Mural Fest Kosova. Ky diskutim do
të ofrojë këndvështrime të ndryshme mbi marrëdhënien midis trashëgimisë kulturore, identitetit,
artit dhe territorit. Në mbyllje të aktivitetit do të performojë grupi folklorik arbëresh nga San Nicola
dell’Alto (Shën Kolli).
9 qershor: Ky moment përmbyllës do të jetë veçanërisht domethënës me përurimin zyrtar të
muraleve të realizuara gjatë javës dhe me homazhin e kushtuar Don Sergio Spezzano-s, poet
arbëresh dhe pikë referimi për komunitetin. Ky nderim do të bëhet përmes një vepre të menduar për
të ruajtur dhe përcjellë kujtimin e kontributit të tij njerëzor, kulturor dhe identitar. Për të kremtuar
këtë nismë, do të performojë banda muzikore e Distriktit Arbëresh e udhëhequr nga prof. Franco
Amendola, një formacion që bën bashkë nxënës dhe mjeshtër kryesisht nga tri fshatrat arbëreshe të
zonës së Krotones: Carfizzi (Karfici), Pallagorio (Puherì) dhe San Nicola dell’Alto (Shën Kolli).
«Përmes kësaj nisme dëshirojmë ta shndërrojmë artin në një instrument të aftë për të gjeneruar
kujtesë, pjesëmarrje dhe të ardhme» – deklaron Ettore Bonanno, Kryetar i Fili Meridiani APS. –
«Muralet nuk do të jenë thjesht vepra dekorative, por faqe të një historie kolektive që do të tregojnë
identitetin arbëresh, lidhjen me rrënjët tona dhe aftësinë e komuniteteve për të dialoguar me të
sotmen. Pallagorio do të kthehet në një hapësirë të hapur takimi midis kulturave, gjuhëve dhe
përvojave të ndryshme. Pas paktit të miqësisë të nënshkruar me Dibrën e Madhe në Maqedoninë e
Veriut, ne po vijojmë të zgjerojmë dhe të forcojmë rrjetin tonë të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Këtë herë po e bëjmë përmes një bashkëpunimi të rëndësishëm me Universitetin e Shkencave të
Aplikuara në Ferizaj, me Mural Fest Kosova dhe nën patronazhin e Komunës së Ferizajt. Besojmë
se kultura përfaqëson një urë themelore për të ndërtuar lidhje midis komuniteteve, për të krijuar
mundësi të reja shkëmbimi dhe për të fuqizuar dialogun midis Arbërisë dhe Ballkanit.»
Java e Muraleve Arbëreshe nuk lind si një ngjarje e izoluar, por si një rrugëtim i destinuar të rritet
në kohë. Ideja e Fili Meridiani është të ndërtojë një përvojë të parë të aftë për t’u bërë një model i
përsëritshëm, duke i dhënë jetë edicionit të dytë, të tretë, të katërt e kështu me radhë, duke përfshirë
shkallë-shkallë komunitete të tjera arbëreshe. Kjo do të krijonte një rrjet kulturor që përdor artin
urban si mjet rrëfimi, vlerësimi të identitetit dhe dialogu ndërmjet territoreve.
«Synimi është të ndërtojmë një rrugëtim të përbashkët ku çdo komunitet mund të tregojë historinë e
vet, traditat, simbolet dhe specifikat e veta, duke mbajtur gjallë një kujtesë kolektive që i përket
mbarë Arbërisë – nënvizon sërish Bonanno, i cili vijon: – Për ne do të jetë një nder i madh të
mirëpresim delegacionin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Ferizajt. Prania e Rektorit, e
anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe e përfaqësuesve akademikë i jep një prestigj të mëtejshëm kësaj
nisme dhe dëshmon se si arti, kultura dhe arsimi mund të shndërrohen në mjete konkrete të
bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjes së përbashkët. Gjithashtu, dëshiroj t’i drejtoj një falënderim
të veçantë Lebibe Topallit, e cila besoi fort në këtë nismë dhe mbështeti me bindje ndërtimin e këtij
rrugëtimi, duke ndihmuar në shndërrimin e një idejeje në një projekt konkret takimi, arti dhe
dialogu kulturor. Një falënderim special i shkon edhe të gjithë ekipit të Fili Meridiani, i cili me
pasion, përkushtim dhe frymë bashkëpunimi punon çdo ditë që nisma të tilla të bëhen realitet.»
Kjo nismë është bërë e mundur edhe falë ndihmës dhe mbështetjes së komunitetit vendas, një
element kyç në ndërtimin e një procesi me pjesëmarrje të gjerë që vendos në qendër njerëzit,
identitetin dhe territorin. Një falënderim i veçantë i shkon gjithashtu sponsorëve NewDay dhe

Emira Digital, kontributi i të cilëve përfaqëson një mbështetje të rëndësishme për realizimin e
aktiviteteve të parashikuara.
Për Fabio Spadafora, CEO i Emira Digital: «Të mbështesësh nisma si Java e Muraleve Arbëreshe
do të thotë të investosh në ide të afta për të gjeneruar vlerë kulturore, sociale dhe njerëzore. Ne
besojmë se komunikimi dhe inovacioni mund të shndërrohen në mjete konkrete për të vlerësuar
territoret, identitetet dhe komunitetet, duke krijuar lidhje midis traditës dhe së ardhmes. Për Emira
Digital është arsye krenarie të mbështesë një projekt që ndërton marrëdhënie midis komuniteteve,
realiteteve ndërkombëtare dhe trashëgimisë kulturore. Kur identiteti, kreativiteti dhe vizioni
punojnë së bashkë, mund të ndërtohen përvoja të afta për të lënë një shenjë afatgjatë.»
Veprat e realizuara gjatë këtij eventi do t’i dhurohen komunitetit dhe do t’i mbeten trashëgimi e
përhershme territorit, duke ndihmuar në pasurimin e vlerës artistike, identitare dhe turistike. Java e
Muraleve Arbëreshe propozohet kështu si një përvojë e aftë për të lënë një shenjë të prekshme dhe
afatgjatë, duke e shndërruar fshatin në një hapësirë të hapur dialogu, kreativiteti dhe kujtese të
përbashkët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit