Shërbimi për të cilin qytetarët ankohen se shpesh nuk kryhet me kohë, tani do të kushtojë më shtrenjtë. Këshilli Komunal i Kumanovës ka miratuar rritjen për rreth 30% të çmimit të grumbullimit dhe transportit të mbeturinave. Derisa qytetarët ankohen, autoritetet e arsyetojnë vendimin me rritjen e kostove operative, shkruan Portalb.mk.
Për këtë vendim të sjellë në fillim të muajit korrik, qytetarët thonë se do i rrëndojë edhe më tepër buxhetet e tyre.
Ata thonë se para se të bëhet rritja e çmimit, ndërmarrja duhet të ofrojë shërbim më cilësor.
Një banor tha se në vend që të lehtësohet barra financiare e qytetarëve në kohë krizash, autoritetet lokale vendosin të rrisin çmimin e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave dhe kështu ta rëndojnë edhe më shumë buxhetin familjar.
“Qytetarët nuk duhet të paguajnë faturën e keqmenaxhimit të komunës nga ana e kryetarit. Nëse shërbimet do të ishin përmirësuar, ndoshta një vendim i tillë do të ishte më i pranueshëm, por në këto kushte kjo rritje është e pajustifikueshme dhe rëndon drejtpërdrejt standardin e jetesës së qytetarëve”, tha ai.
Këshilltari komunal nga BDI, Blerim Hyseni u shpreh se qeverisja e komunës dhe e ndërmarrjeve publike është bërë në mënyrën më të keqe të mundshme nga kryetari i Komunës dhe të emëruarit e tij.
“Derisa për kryetarin e Komunës Maksim Dimitrievski, politikat populiste dhe rejtingu partiak janë mbi të gjitha, Kumanova do të fundoset gjithnjë e më shumë në borxhe, ndërsa ndërmarrjet publike do të jenë buzë greminës dhe jo funksionale. Si rrjedhojë, pasojat bien mbi qytetarët duke ua shtrenjtuar shërbimin për grumbullimin e mbeturinave”, shtoi Hyseni.
Ai foli edhe për marrjen e borxheve të reja nga ana e Komunës së Kumanovës, duke thënë se vetëm për NP “Pastërti dhe Gjelbërim” po merret borxh prej 100 milionë denarësh.
Nga ana tjetër, drejtori i NP “Pastërti dhe Gjelbërim”, Sasho Tomiq, tha se rritja e çmimit është e nevojshme për shkak të rritjes së kostove operative. Ai shpjegoi se për një apartament prej 50 metrash katrorë, fatura mujore do të rritet nga 266 në 337 denarë, ose rreth 70 denarë.
Për një apartament prej 90 metrash katrorë, fatura do të rritet nga 479 në 606 denarë, ndërsa për një apartament prej 120 metrash katrorë do të rritet për 191 denarë.
Sipas Tomiq, mjetet nga lista e re e çmimeve do të destinohen për pagesën e pagave, servisimin e automjeteve dhe mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse, e jo për blerjen e makinerive të reja.
“Rritja është e nevojshme për shkak të amortizimit të automjeteve, flotës së vjetërsuar, çmimeve më të larta të karburantit, rritjes së pagës minimale, pjesëve rezervë dhe nevojës për pagesë të rregullt të pagave. Nëse nuk merret një vendim i tillë, nuk do të jemi në gjendje të punojmë”, tha Tomiq.
Ndryshe, disa lagje të Kumanovës përballen vazhdimisht me probleme në grumbullimin e mbeturinave. NP “Pastërti dhe Gjelbërim” shpesh nuk i largon në kohë mbeturinat nga pikat grumbulluese, duke shkaktuar erë të rëndë dhe rrezik për shëndetin e banorëve.






