Falet 71-vjeçarja nga Zajazi, e dënuar me 20 vite burg për vrasjen e bashkëshortit në Gjermani

Advertisement

71-vjeçarja Shefije Jakupi nga fshati Zajaz i Kërçovës është falur nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, me ç’rast dënimi i saj është shkurtuar për 1 vit e 6 muaj. Ajo ishte dënuar me 20 vite burg dhe, pas faljes, pritet të lirohet së shpejti.

Historia e saj është e dhimbshme. Kur ishte 18 vjeçe, Shefija u martua me mblesëri me 24-vjeçarin Abaz. Ata u takuan për herë të parë në dasmën e tyre dhe më pas u shpërngulën për të jetuar në Gjermani.

Sipas dëshmisë së saj, jeta martesore ishte e mbushur me dhunë. Ajo kishte treguar se bashkëshorti e keqtrajtonte dhe e rrihte, e mbyllte në dhomë dhe nuk i jepte as ushqim.

Pas 34 vitesh martesë, gjatë një konflikti në banesën e tyre, Shefija mori një sëpatë dhe e vrau Abazin. Më pas, ajo e copëtoi trupin e tij me një prerëse elektrike për bukë.

Pjesën më të madhe të mbetjeve e futi në një qese të zezë dhe e hodhi në një kontejner. Trupi i Abazit nuk u gjet kurrë, pasi mbetjet përfunduan në makinën për grumbullimin dhe shtypjen e mbeturinave.

Dëshmi për ngjarjen ishin mbetjet që ajo kishte hedhur në guaskën e tualetit, duke shkaktuar bllokimin e kanalizimit në ndërtesën ku jetonin në Dyseldorf.

Pas vrasjes, Shefija u kthye në Kërçovë, ndërsa policia e gjeti në Spitalin Psikiatrik në Demir Hisar.

„Më rrihte, pinte, shkonte pas grave të tjera… Katër herë kam përfunduar në spital pasi më rrihte. Kam duruar, kam duruar për vite, por një ditë nuk munda më“, kishte deklaruar Shefija në një intervistë për „Fokus“ në burgun e Idrizovës, para katër vitesh.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit