BE-ja po përgatitet për një zgjerim të ri, ndërsa Komisioni Evropian po punon për ndryshime në rregullat që do të zbatohen për anëtarët e rinj.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi për „Politico“ se Komisioni së shpejti do të paraqesë propozime për përgatitjen e një Unioni më të madh dhe theksoi nevojën për mbështetje politike nga të 27 vendet anëtare.
Sipas „Politico“, propozimet do të përcaktojnë më qartë të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të rinj, si dhe mekanizma mbrojtës që do të kufizonin mundësinë e bllokimit të vendimeve nga vendet që nuk i përmbushin detyrimet e tyre.
Propozimi pritet t’u prezantohet liderëve të BE-së në takimin e Këshillit Evropian që nis më 15 tetor.
Zyrtarë të lartë evropianë thonë se disa vende, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Holandën, janë të shqetësuara për një zgjerim shumë të shpejtë dhe mundësinë që anëtarët e rinj të bllokojnë vendime të rëndësishme të Unionit.
Ndërkohë, Ursula von der Leyen po përgatitet të bindë kryeqytetet evropiane se BE-ja është në gjendje të menaxhojë rreziqet që mund të sjellë një zgjerim i ri.






