Të paktën 21 zjarre në vende të hapura janë regjistruar këtë pasdite në Maqedoninë e Veriut, shumica e të cilave mbeten aktive. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov, tha se situata me zjarret është përkeqësuar ndjeshëm.
Një nga zjarret më të vështira për t’u shuar është ai në territorin e Makedonski Brodit, në zonën e quajtur Vidush, pranë fshatit Dragovë. Sipas Angellovit, zjarri nuk ka përfshirë pyje cilësore, por po digjet një zonë shkëmbore me shkurre, gjemba dhe bar të thatë, ku terreni është shumë i vështirë për lëvizje.
“DMSH nesër në mëngjes do të dërgojë një modul të përbërë nga zjarrfikës vullnetarë të trajnuar posaçërisht për shuarjen e zjarreve në pyje”, deklaroi Angellov.
Zjarre të mëdha janë aktive edhe në territorin e komunës së Studeniçanit, mbi fshatin Moranë. Në terren po veprojnë tre “air-tractorë”, ndërsa zjarrfikësit e Shkupit janë mbështetur nga katër ekipe të DMSH-së me automjete “Pizgauer”.
Zjarr aktiv ka edhe në territorin e komunës së Zelenikovës, mbi fshatin Strahojadicë, ndërsa një zjarr i madh është raportuar në komunën e Kërçovës, mbi fshatin Manastirsko Dollnenci, ku ekziston rrezik edhe për manastirin lokal.
Situata është shqetësuese edhe në Rajonin e Pollogut. Angellov tha se ka informacione për disa zjarre të shkaktuara qëllimisht.
Zjarre janë raportuar në zonën e fshatit Kopanicë në komunën e Jegunocës, në Xhepçisht të Tetovës, në Përshevcë të Tearcës dhe në Çiflik të Zhelinës. Në disa prej këtyre zonave po digjet bimësi e ulët, ndërsa në Kopanicë dhe Çiflik zjarri ka përfshirë edhe sipërfaqe pyjore.
Zjarre aktive ka edhe pranë fshatit Topollçan në Prilep, në Makovë të Novacit, në Vërsakovë të Shtipit dhe në Dragosh të Manastirit.
Angellov u bëri thirrje qytetarëve që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm, duke theksuar se temperaturat e larta dhe lagështia e ulët krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e shpejtë të zjarreve.
Ai tha gjithashtu se, përveç zjarreve të shkaktuara nga pakujdesia, gjatë ditës janë konstatuar edhe raste që dyshohet se janë shkaktuar qëllimisht.






