“EUROPA ËSHTË PËR MUNDËSITË”: TË RINJTË NË SHTIP SHËNUAN DITËN E EUROPËS PËRMES STUDIMEVE, MOBILITETIT, DIALOGUT DHE MUZIKËS

 

 

Me informacione për studime në Bashkimin Europian, programe Erasmus+, mobilitet dhe iniciativa, si dhe me debat mbi perspektivat e të rinjve në Europë, dje në Shtip u shënua Dita e Europës 2026. Ngjarja “Europa është për mundësitë” u mbajt në amfiteatrin e hapur pranë Qendrës Kulturore Rinore “Dom na Mladi”, duke krijuar një hapësirë ku të rinjtë patën mundësi t’i hulumtojnë drejtpërdrejt mundësitë që ua ofron Europa.

 

Programi filloi me Panairin e Mundësive të BE-së: Studime, mobilitet dhe shkëmbim në Europë, ku të rinjtë patën mundësi të informohen për studime, bursa, programe shkëmbimi, mobilitet përmes Erasmus+ dhe iniciativa të ndryshme europiane. Në panair morën pjesë ambasada të vendeve anëtare të BE-së, Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, Erasmus+, fakultete pranë Universitetit, programi “Europa Kreative”, si dhe organizata qytetare që punojnë me të rinj dhe studentë.

 

Përmes bisedave të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave, vizitorët morën informacione për mundësitë për arsimim dhe mobilitet në Europë, si dhe për programet përmes të cilave të rinjtë mund të fitojnë përvoja, njohuri dhe kontakte të reja.

 

Në kuadër të ngjarjes u mbajt edhe panel-diskutimi “Mundësi pa kufij: Të rinjtë, Erasmus+ dhe BE-ja”, i cili hapi diskutimin për dialogun rinor dhe rolin e të rinjve në Europë. Në panel-diskutim morën pjesë mr. Ana Mihajllov, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Europiane dhe Mobilitet; Moreno Zella, zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Italisë në Maqedoninë e Veriut; prof. dr. Daniela Koceva; si dhe studentët Kostadin Hubrej dhe Antonela Miteva. Pjesëmarrësit diskutuan për studimet jashtë vendit, programet e mobilitetit përmes Erasmus+ dhe mbështetjen që Bashkimi Europian ua ofron të rinjve në Maqedoninë e Veriut.

 

Vëmendje e veçantë iu kushtua përvojave të të rinjve që kanë marrë pjesë në programe mobiliteti, përfitimeve nga këto programe dhe sfidave me të cilat përballen. Diskutimi e vuri në pah rëndësinë që të rinjtë të kenë qasje në informacione, mundësi dhe hapësirë ku zëri i tyre do të dëgjohet.

 

Në ngjarje performuan edhe studentë të Akademisë së Muzikës pranë Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit