Sipas edicionit më të fundit të Standard Eurobarometrit të Komisionit Evropian, qytetarët e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi kanë besim të lartë në Bashkimin Evropian.
Besimi në BE është më i lartë në Shqipëri, ku arrin 80%, krahasuar me vetëm 16% të qytetarëve që nuk i besojnë BE-së. Rezultate të ngjashme janë në Kosovë – 75% e qytetarëve kanë tendencë t’i besojnë BE-së, ndërsa 17% nuk i besojnë.
Në Mal të Zi, 65% e qytetarëve i besojnë BE-së, ndërsa 31% nuk i besojnë. Në Maqedoni, niveli i besimit është 60%, ndërsa niveli i mosbesimit 38%.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, besimi në BE është pak më i ulët – 56% e qytetarëve i besojnë BE-së, ndërsa 40% nuk i besojnë.
Ndërkohë, në Serbi vetëm 36% e qytetarëve i besojnë BE-së, ndërsa 59% nuk i besojnë.
Në nivel të vetë BE-së, 51% e qytetarëve i besojnë Unionit, ndërsa 43% nuk i besojnë.
Qytetarët në rajon janë pyetur gjithashtu nëse anëtarësimi i vendit të tyre në BE do të ishte një gjë e mirë apo e keqe.
Edhe këtë herë, qytetarët e Shqipërisë kanë qëndrimin më pozitiv ndaj anëtarësimit në BE, ku 84% thonë se do të ishte gjë e mirë, ndërsa vetëm 5% mendojnë se do të ishte e keqe.
Në Mal të Zi, 66% e qytetarëve thonë se anëtarësimi në BE do të ishte gjë e mirë, ndërsa 10% se do të ishte e keqe (pjesa tjetër e konsiderojnë si “as të mirë as të keqe”). Në Maqedoni shifrat janë të ngjashme: 62% kundrejt 9%.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, 48% besojnë se anëtarësimi në BE do të ishte gjë e mirë, 27% mendojnë se do të ishte e keqe, ndërsa 25% e shohin si as të mirë as të keqe.
Në Serbi, vetëm 35% mendojnë se do të ishte gjë e mirë, 30% mendojnë se do të ishte e keqe, ndërsa 35% e konsiderojnë neutrale.





