ASH zgjedh strukturën koordinuese të këshilltarëve komunalë, Mustafi koordinator

Këshilltarët komunalë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët kanë zgjedhur strukturën e tyre koordinuese në një mbledhje të mbajtur në selinë e partisë në Tetovë, duke synuar rritjen e koordinimit dhe bashkëpunimit në nivel lokal. Me shumicë votash, për koordinator është zgjedhur këshilltari Huzeir Mustafi nga Kumanova, ndërsa si zëvendës-koordinatore është emëruar Belinda Amiti nga Tetova. Në përbërje të trupit koordinues janë përfshirë edhe Syarta Saliu Osmani, Daim Luçi dhe Emir Durimishi.

Mbledhja u zhvillua në prani të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, si dhe të kryetarit të Akademisë Politike të kësaj partie, prof. dr. Arianit Reka. Sipas organizatorëve, pjesëmarrja e drejtuesve të lartë i dha mbledhjes një dimension institucional dhe orientim strategjik për veprimtarinë e këshilltarëve në nivel lokal.

Në fjalën e tij, Taravari u drejtua këshilltarëve me mesazhin se roli i tyre tejkalon funksionin administrativ. “Ju jeni deputetë në nivel lokal”, theksoi ai, duke nënvizuar se mandati i tyre përfaqëson një besim të drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Ai shtoi se këshilltari komunal është figura më e afërt me qytetarin dhe ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për adresimin e nevojave dhe shqetësimeve të tyre. Sipas tij, roli i këshilltarëve është kyç në përmirësimin e cilësisë së jetës në nivel lokal dhe kërkon angazhim, përgjegjësi dhe ndërgjegje të lartë politike. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët u zotuan për mbajtjen e takimeve të rregullta dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta në komunat ku ushtrojnë mandatin. Ata theksuan se bashkërendimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri për përfaqësim më efektiv të interesave të qytetarëve.

Mesazhi kryesor i mbledhjes ishte forcimi i koordinimit si detyrim ndaj qytetarëve, duke e parë këshilltarin komunal si lidhjen më të drejtpërdrejtë mes pushtetit lokal dhe qytetarit, me rol jo vetëm përfaqësues, por edhe zgjidhës të problemeve konkrete.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit