17.8 C
Skopje
Friday, May 10, 2024

Ende asnjë gjurmë nga ish zyrtari i BDI-së, Ismet Guri

Është shpallur fletarrest për ish zëvendës drejtorin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Ismet Guri. Ai ndodhej në paraburgim, por për shkaqe shëndetësore masa iu zëvendësua me arrest shtëpiak. Një ditë më parë zyrtarët policorë nuk e gjetën Gurin në adresën në të cilën vuante arrestin shtëpiak. Arratisja e Gurit ka ndodhur në momentin kur Prokuroria pas ankesës ka kërkuar që Guri të rikthehet në paraburgim në burgun e Shutkës.

“Gjykata Penale është njoftuar nga MPB-ja se gjatë kontrollit të zyrtarëve policorë, Ismet Guri nuk është gjetur në adresën, në të cilën duhej të qëndronte në arrest shtëpiak. Është shpallur fletarrest ndaj tij”, theksojnë nga Gjykata Penale në Shkup.

Ish zyrtari i BDI-së, Ismet Guri, në korrik të vitit të kaluar së bashku me 15 persona të tjerë, në mesin e të cilëve edhe biznesmenë dhe inspektorë të DAP-it u arrestuan nën dyshimin për bashkim kriminel dhe mashtrim tatimor duke dëmtuar firma të mëdha për rreth 2 milionë euro. Guri së bashku me një pjesë të të dyshuarve kanë formuar kompani inekzistente, të cilave u kanë dhënë vërtetime fiktive nga Drejtoria e të Ardhurave Publike për kthimin e TVSH-së. Ndaj Ismet Gurit, së bashku me ish zyrtarin tjetër të BDI-së Ejup Alimi kishte edhe proces gjyqësor për rastin “Titanik “ për shkatërrimin e materialit zgjedhor, të cilëve Gjykata pas gjykimit të serishëm vitin e kaluar u caktoi dënime me burg jo të plotfuqishëm. Akuza për rastin “Titanik 3” u hap në vitin 2017 nga ish Prokuroria Speciale. Guri dhe Alimi ngarkoheshin për veprën e shkatërrimit të materialit zgjedhor, përkatësisht në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë ndryshuar procesverbalet për votimin në Çair./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit