Emira Selimi, themeluesja e bibliotekës së parë në gjuhën shqipe në Manastir, përmes një statusi të drejtpërdrejtë dhe emocional, ajo ngre zërin kundër inferioritetit kulturor që, sipas saj, ende i ndjek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse i them dikujt se jam nga Maqedonia e Veriut, më shikojnë me habi. Por kur u them që jam nga Shqipëria – ‘wow!’”, shkruan Selimi, duke nënvizuar kontrastin mes perceptimeve ndërkombëtare për Shqipërinë dhe vendin fqinj ku jeton. Ajo ironizon ata që ndihen të turpëruar për prejardhjen e tyre shqiptare dhe kujton se yjet botërore si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha dhe Ava Max – janë të gjitha me origjinë shqiptare.
Në një mesazh të drejtpërdrejtë për të rinjtë që sipas saj kanë komplekse identitare, Emira shprehet: “Kaloni një javë në jug të Shqipërisë dhe shihni çfarë është modernizimi.” Ajo kritikon edhe ata që, sipas saj, në përpjekje për t’u dukur “modernë”, mohojnë identitetin e tyre shqiptar.
Ky reagim vjen nga një figurë që me punën dhe përkushtimin e saj ka rikthyer kulturën dhe gjuhën shqipe në zemër të Manastirit – qyteti historik ku dikur u mbajt Kongresi i Alfabetit. Biblioteka e themeluar prej saj është më shumë se një institucion; është një deklaratë e krenarisë kombëtare dhe një qëndresë ndaj asimilimit kulturor.