Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar vendimin për eksportimin e thëngjillit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut për tre vitet e ardhshme.
Hoti vlerësoi se eksporti i lëndës së parë, ndërsa produkti i gatshëm importohet, tregon, sipas tij, mungesë të vizionit ekonomik dhe të politikave për zhvillim të qëndrueshëm.
“Vendi që eksporton lëndë të parë dhe importon produktin e gatshëm të prodhuar nga ajo lëndë e parë, siç është rasti konkret, tregon varfërinë e vet ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim”, ka shkruar Hoti në një reagim në Facebook.
Ai e kritikoi gjithashtu qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar vendimin si të gabuar nga aspekti ekonomik.
Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do të eksportojë thëngjill në Maqedoninë e Veriut me vlerë prej 73.2 milionë eurosh.






