11.8 C
Skopje
Wednesday, May 8, 2024

E keqja nuk na vjen nga TikToku

Në vazhdën e vetëvrasjes tragjike të Bedrie Lokës – nëna e katër fëmijëve që i dha fund jetës duke pirë fostoksinë pas publikimit të video-montazheve në TikTok dhe një gjuhë denigruese dhe urrejtje ndaj saj (referuar të dhënave deri më tani) – jo pak njerëz në internet bënë thirrje për mbylljen e TikTok-ut, mes tyre edhe personazhe të njohur.

“Tmerr. Vrasësit e kohëve moderne kanë ‘armë’ tastierat. Por janë gjithmonë vrasës. Mbylleni këtë dreq TikTok-u. Tani.” – i bëri thirrje kryministrit Rama moderatorja Arbana Osmani.

“Mbyllni TikTokun!” tingëllon si një zgjidhje e shkëlqyer për problemet tona kibernetike, por prisni pak: Që kur ankesat për internetin lindën me TikTokun?

Ne tani përdorim smartphone, por përpara TikTokut, dikur njerëzit shpërndanin foto a video (shpeshherë edhe intime) me bluetooth. Dikur përdoreshin masivisht forumet ku gjuha kundrejt njëri-tjetrit nuk ishte fort miqësore. Pastaj kaluam në Facebook, në vijim zgjodhëm të shfaqnim një imazh më të kuruar tonin në Instagram dhe së fundmi, sidomos gjatë pandemisë, TikTok fitoi terren.

Thënë kjo, TikTok është një nga shumë platforma. Madje, ndoshta për habinë tuaj, nuk është aktualisht as në Top5 e rrjeteve sociale më të përdorura në botë. Facebook renditet i pari (3.05 miliardë përdorues aktivë mujorë), ndjekur nga WhatsApp, YouTube, Instagram, WeChat. Pastaj vjen TikTok (1.22 miliardë përdorues aktivë mujorë).

Të mos harrojmë që TikTok, si të gjitha platformat e tjera – ka dy anë të medaljes. Aty gjen gjithçka: njerëz që ndajnë informacione interesante, njerëz që bëjnë video gazmore, njerëz që ndihmojnë të tjerët në nevojë, njerëz që përdorin një gjuhë harbute, njerëz që bullizojnë dhe shantazhojnë të tjerët etj.

Disa prej jush mund të thonë që edhe Amerika po tenton të bllokojë TikTokun. Do ta trajtonim më me interes këtë qasje, nëse nuk do të ishim mjaftueshëm të zgjuar për të kuptuar që kemi të bëjmë me një konflikt gjeopolitik, përsa kohë është Kina në mes (TikTok zotërohet nga ByteDance, kompani kineze). Ndaj jo më kot, amerikanët e thjeshtë janë kundër propozimeve për ndalimin e Tiktokut.

Kthehemi te çështja jonë. Në vend që t’i kërkojmë kryeministrit që të mbyllë TikTokun, le të ngremë disa pyetje që kanë më shumë vlerë për interesin publik.

1. A e aktivizoi policia “Sherlock-un” e tyre kur Bedrie Loka denoncoi në polici kohë më parë, apo e vendosi gabim lupën?

2. A janë agjencitë tona të zbatimit të ligjit të pajisura me teknologjinë e shekullit XXI për të kapur autorët e krimeve kibernetike, apo jemi ende disa epoka mbrapa?

3. A mund të shtrëngojmë masat ligjore kundër bullizmit në internet?

4. A mund të krijojmë kurse dhe trajnime nëpër shkolla për sjelljen në internet?

Si përfundim, kjo sagë do të vazhdojë përsa kohë problemin e adresojmë gabim. Zgjidhja nuk qëndron te mbyllja e TikTokut, por te forcimi i masave ligjore dhe edukimi i njerëzve për botën dixhitale. Fajësimi i një platforme nuk do të na shpëtojë nga cikli i bullizmit në internet. E keqja nuk na vjen nga TikToku.

 

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit