Në zonën e Ilovicës, në Komunën e Bosillovës, janë shfaqur indicie që ngrenë dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht.
Kryetari i Komunës së Bosillovës, Risto Mançev, deklaroi përmes rrjeteve sociale se vendi ku dyshohet se ka nisur zjarri është identifikuar dhe aty janë gjetur një çakmak dhe degë të prera me sëpatë.
Sipas tij, zjarri përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme me bar të thatë dhe shkurre dhe ishte vetëm rreth 100 metra larg shtëpive të para të fshatit.
Mançev theksoi se situata mund të kishte përfunduar me pasoja shumë më të rënda, por era frynte në drejtim të kundërt me fshatin, ndërsa reagimi i shpejtë i banorëve, zjarrfikësve dhe policisë ndihmoi në parandalimin e një katastrofe.
Zjarri shpërtheu dje, mes orës 14:00 dhe 15:00, në territorin e fshatit Ilovicë dhe për disa orë ishte aktiv. Nga të dhënat e publikuara nga njësia territoriale e zjarrfikësve në Strumicë, flakët përfshinë kryesisht sipërfaqe me bimësi të thatë.
Institucionet pritet të hetojnë rrethanat dhe të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.






