Mërgimtarëve struganë u është drejtuar me një mesazh të veçantë kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, duke i mirëpritur në vendlindje dhe duke i ftuar për takime të drejtpërdrejta në komunë gjatë qëndrimit të tyre në Strugë.
Në mesazhin e tij, Qyra thekson se mërgimtarët nuk janë vetëm pjesë e Strugës, por edhe krenaria e saj, duke vlerësuar kontributin dhe lidhjen e tyre të pandërprerë me vendlindjen.
Ai njofton se çdo të enjte, nga ora 13:00 deri në 16:00, do t’i presë personalisht në kabinetin e tij për të dëgjuar idetë, propozimet dhe shqetësimet e tyre, me qëllim që edhe ata të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.
“Struga është shtëpia juaj. Dyert tona do të jenë gjithmonë të hapura për ju,” thuhet në mesazhin e kryetarit Mendi Qyra, i cili u uron mirëseardhje të gjithë mërgimtarëve që këto ditë po kthehen në vendlindje për pushimet verore.





