Durmishi paralajmëron kontrolle të ashpra: kompanitë që paguajnë paga nën minimumin ligjor do të sanksionohen, do të identifikohen edhe rastet e punës në të zezë

Ministri Besar Durmishi paralajmëroi kontrolle të intensifikuara inspektuese ndaj kompanive që mund të mos respektojnë Ligjin për pagën minimale, duke theksuar se asnjë kompani nuk do të lejohet të keqpërdorë ligjin.
Ai theksoi se së bashku me drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Punës do të kryhen kontrolle në terren dhe çdo shkelje e konstatuar do të sanksionohet në mënyrë përkatëse.
“Nuk mund asnjë kompani të paguajë pagë nën minimumin ligjor. Nëse konstatojmë shkelje, do të ndërmarrim masa dhe do të ketë sanksione”, deklaroi Durmishi.
Sa i përket papunësisë, ministri bëri të ditur se rreth 90.000 persona figurojnë të regjistruar si të papunë, por sipas institucioneve ekzistojnë raste kur disa prej tyre marrin ndihmë sociale dhe njëkohësisht punojnë në të zezë.
Për këtë qëllim është formuar një grup pune ku janë përfshirë Agjencia e Punësimit, Inspektorati i Punës dhe qendrat për punë sociale, me qëllim identifikimin e abuzimeve dhe marrjen e masave përkatëse.
Sipas paralajmërimeve, personat që kapen duke punuar në të zezë do të fshihen nga evidenca e të papunëve, ndërsa qeveria po shqyrton edhe ndryshime ligjore për kufizimin e disa përfitimeve sociale për këto raste.
Durmishi theksoi se këto masa janë pjesë e reformave më të gjera për uljen e papunësisë dhe përmirësimin e tregut të punës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit