Shkup, 9 qershor 2025 – Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, së bashku me drejtorin e Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Selajdin Beluli, shpallën sot zyrtarisht hapjen e thirrjes publike për Masën 1.1 dhe Masën 1.2, të cilat janë pjesë e Planit Operativ për Punësim për vitin 2025.
Këto masa kanë për qëllim mbështetjen e vetëpunësimit për qytetarët e papunë të regjistruar në Agjencinë për Punësim, duke synuar fuqizimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për punësim nëpërmjet zhvillimit të bizneseve të vogla dhe ndërmarrësisë individuale.
“Ky është një hap konkret drejt fuqizimit të fuqisë punëtore dhe krijimit të vendeve të reja të punës përmes mbështetjes direkte financiare dhe profesionale për qytetarët tanë,” tha ministri Durmishi gjatë konferencës për media.
Nga ana tjetër, drejtori Beluli theksoi se Agjencia është e përkushtuar në implementimin efikas të masave dhe do të ofrojë asistencë për të gjithë të interesuarit gjatë procesit të aplikimit.
Thirrja publike do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët e papunë të interesuar, të cilët janë të regjistruar në evidencën e Agjencisë për Punësim dhe kanë ide konkrete për vetëpunësim apo zhvillimin e një biznesi të vogël.
Për më shumë informacione rreth kritereve, afateve dhe mënyrës së aplikimit, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Agjencisë për Punësim apo të zyrat rajonale.