Besar Durmishi, pas përfundimit të protestës së studentëve lidhur me provimin e jurisprudencës, akuzoi BDI-në për manipulim shumëvjeçar me çështjen e gjuhës shqipe dhe për përdorim politik të pakënaqësisë së studentëve.
Sipas Durmishit, protesta e sotme erdhi si rezultat i një padrejtësie të krijuar në kohën kur BDI ishte në pushtet, duke theksuar se provimi i jurisprudencës “asnjëherë nuk është zhvilluar në gjuhën shqipe”.
Ai deklaroi se protesta është e drejtë demokratike, por akuzoi ish-funksionarët e BDI-së, Musa Xhaferi dhe Blerim Bexheti, se janë “dy fajtorët kryesorë” për moszgjidhjen e këtij problemi gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet.
“Ju kërkuat që provimi i jurisprudencës të bëhet shqip, ne po i bëjmë shqip të gjitha provimet profesionale”, tha Durmishi, duke shtuar se në Qeveri është zhvilluar takim mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderëve të VLEN-it, ku sipas tij është premtuar se provimet shumë shpejt do të jenë edhe në gjuhën shqipe.
Durmishi akuzoi edhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, se “fshihet pas studentëve” dhe tenton të përfitojë politikisht nga situata.
“Studentët janë fëmijët tanë. I ftojmë të mos bien pre e manipulimeve politike dhe të kenë besim se kjo çështje tashmë është marrë në duar nga VLEN-i”, deklaroi Durmishi.





