Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka deklaruar se janë në dijeni se grupet kriminale serbe po përgatiten dhe trajnohen në kazerma ushtarake serbe për një sulm tjetër ndaj policisë, por që sipas tij, Policia e Kosovës është e gatshme dhe ka kapacitete për kundërpërgjigje efikase.
“Mund të jenë grupe të ngjajshme sikurse grupi i Banjskës, ndoshta me numër më të vogël se ata, por që që ata mund të jenë më të përgatitur profesionalisht, mund të jenë ekspert të fushave të caktuara që mund ta godasin policinë e Kosovës për interesat e tyre në veri të vendit. A do të ketë ndonjë invazion, agresion nga Serbia në territor të Kosovës, kjo është çështje që duhet të diskutohet në nivele tjera, mirëpo ne si polici i kemi kapacitet tona, të përgatitura profesionale për tu ballafaqu me çfarëdo sulmi të këtyre grupeve kriminale. Ndërsa për pjesë të tjera është përgjegjësi e KFOR-it, FSK-së normalisht edhe Policisë së Kosovës”, deklaroi Hoxha.
Drejtori i Policisë ka folur edhe për lëvizjet e mjeteve ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën, duke deklaruar se ushtria serbe po u hap rrugë dhe shtigje terroristëve që synojnë destabilizimin e vendit.