Me rastin e 25 Tetorit – Ditës Evropiane të Drejtësisë, ministri i Drejtësisë, dr. Jeton Shasivari, deklaroi se gjyqësori i pavarur, prokuroria profesionale dhe institucionet e përgjegjshme janë themeli i shtetit ligjor dhe i besimit të qytetarëve.
Në mesazhin e tij, Shasivari theksoi se drejtësia është themeli i shtetit ligjor, mbrojtëse e lirisë dhe dinjitetit të çdo njeriu, si dhe tregues i pjekurisë së institucioneve.
“Pa gjyqësor të pavarur, prokurori profesionale dhe institucione të përgjegjshme, nuk ka siguri juridike, nuk ka barazi dhe nuk ka besim të vërtetë”, deklaroi ministri.
Ai theksoi se angazhimi i tij si ministër i Drejtësisë është ndërtimi i një sistemi të drejtësisë në të cilin ligji do të jetë mbi çdo interes, drejtësia nuk do të varet nga pushteti i askujt dhe çdo qytetar do të ketë të drejtë të barabartë për mbrojtje dhe trajtim të drejtë.
Sipas Shasivarit, shteti ka nevojë për një gjyqësor që merr vendime në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe brenda një afati të arsyeshëm, për një prokurori që vepron në mënyrë profesionale dhe pa përzgjedhje, si dhe për institucione që do ta arsyetojnë besimin përmes rezultateve konkrete, integritetit dhe përgjegjësisë.
Ministri theksoi se reformat në drejtësi nuk duhet të vlerësohen vetëm sipas numrit të ligjeve të miratuara, por mbi të gjitha sipas ndryshimeve që qytetarët do t’i ndiejnë realisht. Ndër to përmendi procedurat më efikase, vendimet më cilësore, sigurinë më të madhe juridike dhe zbatimin e barabartë të ligjit për të gjithë.
Duke folur për të ardhmen evropiane të vendit, Shasivari theksoi se ajo nënkupton zbatimin e standardeve evropiane në të gjitha institucionet, realizimin e vazhdueshëm të reformave dhe përgjegjësinë pa përjashtime.
“Besimi në drejtësi nuk kërkohet – ai fitohet. Jo me deklarata, por me vepra. Jo me premtime, por me rezultate”, theksoi Shasivari.
Në përfundim, ai nënvizoi se drejtësia është obligim, përgjegjësia është detyrë, ndërsa besimi fitohet, duke përcjellë urimet me rastin e Ditës Evropiane të Drejtësisë, më 25 tetor.








