Dita e dytë e Samitit Macedonia2025: Liderët kërkojnë më shumë besim dhe inovacion

Në ditën e dytë të Samitit Macedonia2025, i mbajtur nën moton “Pas 2025: Përshpejtimi i rritjes. Nxitja e lidershipit”, fokusi kryesor ishte lidershipi në kohë krizash, ruajtja e talenteve dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në tregun e punës dhe arsim.

Në panelin për lidershipin dhe vendimmarrjen që formëson ekonomitë, morën pjesë kryetari i Bordit të “Tikvesh”, Svetozar Janevski, drejtori i përgjithshëm i EVN Macedonia, Wolfgang Maier, si dhe ish-ambasadori amerikan në Maqedoni, Christopher Hill.

Janevski theksoi se kompanitë maqedonase prej dekadash punojnë në kushte krizash dhe pasigurie, ndaj aftësia për t’u përshtatur është bërë pjesë e kulturës së biznesit. Ai tha se lidershipi nuk ndërtohet mbi frikë, por mbi besim dhe vizion të përbashkët.

“Duhet të jemi më të mirët ose do të dështojmë”, deklaroi Janevski, duke folur për transformimin e “Tikvesh” nga kompani lokale në brend ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, Maier potencoi se organizatat e suksesshme ndërtohen mbi njerëz që besojnë në një vizion të përbashkët. Sipas tij, të rinjtë sot kërkojnë kompani të ndershme, transparente dhe me qëllim të qartë.

“Liderët duhet të marrin vendime. Ndonjëherë edhe një vendim i gabuar është më i mirë se asnjë vendim”, u shpreh Maier.

Ish-ambasadori Christopher Hill foli për lidershipin si kombinim i përgjegjësisë, besimit dhe aftësisë për të frymëzuar njerëzit edhe në rrethana të vështira.

“Kur njerëzit ndjejnë se kujdeseni për ta dhe u besoni, ata do t’ju ndjekin”, tha Hill.

Në samit foli edhe strategu global për lidership, Ron Thomas, i cili paralajmëroi se inteligjenca artificiale po ndryshon rrënjësisht tregun e punës dhe mënyrën e funksionimit të kompanive.

“E ardhmja do të kërkojë që të gjithë të mësojmë çdo ditë diçka të re”, deklaroi Thomas, duke shtuar se mënyra e vjetër e punës nuk do të funksionojë më.

Gjatë ditës së dytë të samitit u zhvilluan edhe diskutime për inteligjencën artificiale, inovacionet, diasporën, zhvillimin e talenteve të reja dhe bashkëpunimin mes institucioneve dhe biznesit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit