Dy pikave të nxehta ekologjike në Komunën e Likovës do t’u vijë fundi, siguron ministri i Mjedisit Jetësor Muamet Hoxha! Deponia që gjendet mes komunës së Haraçinës dhe Likovës, do të zgjidhet me ndërtimin e Qendrës Rajonale për grumbullimin e mbeturinave në Shën Nikollë. Paralajmëroi edhe se dy qendra të tjera do të ndërtohen në Novac dhe Rusino.
“Për pyetjen që ka të bëjë me qendrën rajonale për grumbullimin e mbeturinave në Sveti Nikollë, procedura për përzgjedhjen e operatorit ekonomik për realizimin e këtij projekti është në fazën përfundimtare dhe shpresojmë se do të përfundojë me sukses dhe do të fillojë ndërtimi i kësaj qendre rajonale për grumbullimin e mbeturinave. Përkujtoj opinionin se kjo qendër rajonale për grumbullimin e mbeturinave do të realizohet me mjete të siguruara nga Bashkimi Evropian nga IPA fondet”, tha Muamet Hoxha, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sa i përket një shqetësimi tjetër ekologjik në komunën e Likovës, lëndën e rrezikshme të arsenit që gjendet në Llojan, Hoxha theksoi se ministria e energjetikës do ta bëjë përzgjedhjen e koncesionerit që do ta pastrojë këtë pikë të nxehtë. Në rast se dështon dhe konstatohet se bëhet fjalë për mbetje, kompetencat do t’i merr Ministria e Mjedisit.
“Është në kompetenca të Ministrisë së Energjetikës është në fazën e para shpalljes për zgjidhjen e koncesionerit i cili do të bëjë pastrimin e kësaj pike të nxehtë në Llojan si qeveri kemi miratuar edhe vendimin për realizimin e shpalljes nga ana e ministrisë së energjetikës, mirëpo ministria e energjetikës duhet të vazhdojë me procedurat e mëtejshme të bëjë përzgjedhjen e koncesionerit i cili do të bëjë edhe pastrimin e kësaj pike të nxehtë në Llojan”, u shpreh Muamet Hoxha, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ministri Hoxha vlerësoi se me miratimin e Ligjit për Natyrën i cili është vendosur në ENER, do të forcohet sistemi për mbrojtjen e natyrës, përmirësimit të menaxhimit të resurseve natyrore dhe harmonizimi me direktivat evropiane.





