Diplomacia takon turizmin në Dibër

Interesimi për Dibrën nga diplomatët e huaj vazhdon. Pas vizitës së parë që pati kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, znj. Angela Aggeler menjëherë pas zgjedhjeve lokale, vijuan vizitat e një numri të konsiderueshëm ambasadorësh nga vendet e Evropës, por jo vetëm.

Dibrën e vizitoi edhe Ambasadorja e Norvegjisë, Shkëlqesia e Saj, Kristin Melsom, e cila është njëkohësisht ambasadore e Norvegjisë edhe për Malin e Zi dhe Serbinë. Ajo, e shoqëruar nga Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Norvegji, Driton Kuqi, u prit nga kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, dhe kryetari i Këshillit Komunal, Afrim Krkuti.

Siç informoi kabineti i kryetarit Mela, takimi ka qenë shumë i frytshëm, pasi është biseduar për projekte që lidhen edhe me zhvillimin e turizmit. “Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimet ekzistuese, si dhe për ide dhe iniciativa të reja që synojnë thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet institucioneve. Veçmas u theksua rëndësia e projekteve të reja në kuadër të zhvillimit ekonomik, me theks të veçantë në turizëm. Në kuadër të vizitës, Ambasadorja pati mundësinë të vizitojë Banjat Termale Capa në lokalitetin banjar Banjishtë, ku u njoh nga afër me shërbimet që ofrohen, si dhe me historikun e tyre”, thuhet nga kabineti i kryetarit Mela.

Përfaqësues të Banjave të Dibrës – Capa e informuan Ambasadoren e Norvegjisë për cilësinë e ujit termomineral, i cili është ndër më cilësorët në Evropë, për terapitë që realizohen në këto banja, si dhe për mundësitë që ato ofrojnë për turistët e huaj. Ambasadorja u informua edhe për rritjen e numrit të turistëve të huaj, që shënon rritje nga viti në vit. Turizmi banjar në Dibër i plotëson të gjitha kushtet për një turizëm me standarde evropiane dhe përbën shtyllën kryesore të zhvillimit të komunës.

Kryetari i Dibrës, Fisnik Mela, vlerësoi se kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Komunës së Dibrës dhe në avancimin e projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.

Është për t’u theksuar se ka një rritje të dukshme të vizitave që Dibrës i bëjnë diplomatët e huaj. Menjëherë pas zgjedhjeve lokale, Ambasadorja e SHBA-së, Aggeler, realizoi një vizitë në Dibër, ndërsa më pas erdhën edhe ambasadorë nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Franca, Kazakistani dhe diplomatë të tjerë.

Në të gjitha takimet është theksuar se Dibra është e gatshme që, përmes projekteve ndërkombëtare, të bashkëpunojë më thellë dhe të realizojë iniciativa të përbashkëta me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm në shumë fusha. Në këtë drejtim kanë qenë edhe vizitat e kryetarit të Dibrës, Fisnik Mela, në disa shtete të Evropës. (koha)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit