Dimitrieska-Koçoska: Ulja e akcizës për karburantet do të vlejë deri më 1 qershor

Qeveria sot, në një seancë të jashtëzakonshme, e vazhdoi afatin për masat që synojnë zbutjen e presioneve të çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve deri më 1 qershor të këtij viti, njoftoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieka Koçoska në profilin e saj në Fejsbuk.

“Masat që synojnë zbutjen e presioneve të çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve vazhdojnë të zbatohen deri më 1 qershor të vitit 2026. Vendimi u mor nga Qeveria sot në një seancë të jashtëzakonshme. Këto masa janë përgjigje adekuate ndaj sfidave ekonomike dhe pasigurive me të cilat përballen të gjitha vendet në tregjet ndërkombëtare të energjisë”, shkroi Dimitrieka Koçoska në Fejsbuk.

Si Qeveri dhe Ministri e Financave, theksoi ajo, sigurojmë stabilitet dhe parashikueshmëri, zvogëlojmë presionet inflacioniste, mbështesim ekonominë dhe ruajmë standardin e jetesës së qytetarëve.

Vendimi i mëparshëm i Qeverisë për uljen e akcizës për karburantet dhe TVSH-së për benzinën nga 18 në 10 për qind skadon të hënën, më 18 maj. Me vazhdimin e afatit, karburantet do të shiten me çmime më të ulëta në dy javët e ardhshme. Njëkohësisht, të hënën skadon edhe afati për zbritjen e ofruar nga importuesi më i madh i derivateve të naftës në vend, OKTA. OKTA u jep shumicës së stacioneve të benzinës në vend zbritje prej tre denarësh për një litër naftë të shitur dhe dy për benzinat

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit