Dështon debati për huamarrjen

Në vend të debatit për kredinë e re të jashtme prej 260 milionë eurosh që po merr shteti, deputetët e opozitës në Kuvend u përplasën se kush ku duhet të ulet në sallë. Meqë një pjesë e tyre nuk kishin kushte se ku të uleshin, kërkuan një pauzë njëorëshe.

“Kërkoj zonja kryetare, pasi nuk kemi kushte për punë, gjysma e deputetëve janë në këmbë, një orë pauzë që të sigurohen kushtet për të vazhduar me punën”, deklaroi Oliver Spasovski, LSDM.

Pasi kryetarja e komisionit të financave dhe buxhetit vendosi ta ndërpresë seancën, deputetët e shumicës kërkuan procedurale.

Kundër tre, të përmbajtur nuk ka, konstatoj se rendi i ditës është miratuar, me këtë e ndërpres seancën, procedurale, procedurale”, tha Sanja Llukarevska, kryetare e komisionit

Deputeti Bojan Stojanovski tha se duhet të vazhdohet me punën, ndërsa deputetët e opozitës të mos ikin nga debati.

“Intenca është e qartë, intenca është përsëri, siç ishte edhe herën e kaluar, të iket nga debati, të mos diskutohet, debati të zhvendoset në një terren të sigurt të konferencave partiake për shtyp, ku secili mund të thotë çfarë të dojë, por pa argumentim”, theksoi Bojan Stojanovski, deputet.

Deputeti Elmi Aziri kërkoi një orë pauzë për koordinim të mëtejshëm.

“Prandaj me këtë propozim ndryshim të rendit të ditës konfirmohet edhe një herë se dokumentet që ne këtu i votojmë janë vetëm formalitet, ndërsa prioritet u japim nevojave tona akute që rrjedhin nga qeverisja e keqe në institucione. Të mos zgjatem shumë, ne të gjithë këtu njihemi mirë dhe i dimë kapacitetet tona për debat dhe kërkoj një orë pauzë për koordinim të mëtejshëm”, tha Elmi Aziri, deputet i ASH – Sela.

Borxhi shtetëror ndaj sektorit privat, qytetarëve dhe organizatave joqeveritare ka kaluar 305 milionë euro. Obligimet më të mëdha institucionet i kanë ndaj kompanive për shërbime komunale, energji elektrike, ngrohje, transport dhe telekomunikime, ku borxhi arrin rreth 124 milionë euro. Mbi 46 milionë euro u detyrohen për punë ndërtimore dhe projekte infrastrukturore, më shumë se 50 milionë euro për shërbime kontraktuale, ndërsa mbi 70 milionë euro janë shpenzime rrjedhëse të papaguara. Një pjesë e borxheve lidhen edhe me detyrime gjyqësore, vonesa në pagesa ndaj firmave private, si dhe borxhe ndaj personave fizikë dhe subjekteve të huaja. Rritja më e madhe e borxheve është te ndërmarrjet publike, komunat dhe institucionet e sektorit shëndetësor, ku detyrimet e papaguara vazhdojnë të rriten nga tremujori në tremujor./Alsat.mk.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit