Dasmat mbajnë gjallë tregun e arit, pavarësisht çmimeve të larta – një lirë arrin 850 euro

Advertisement

Çmimi i arit në tregjet ndërkombëtare vijon të rritet, duke ndikuar edhe në çmimet e stolive në tregun vendas. Aktualisht, një ons ari, që peshon 31.1 gramë, ka kaluar në rreth 3.736 euro, ndërsa një gram kushton afërsisht 120 euro.

Rritja e çmimit është veçanërisht e ndjeshme për çiftet që përgatiten për dasma, pasi një lirë ari kushton rreth 850 euro.

Blerësit thonë se, pavarësisht çmimeve, ari mbetet pjesë e rëndësishme e traditës së dasmave. Një qytetar tregoi se vetëm së fundmi ka shpenzuar rreth 2.000 euro për stoli.

Nga ana tjetër, shitësit thonë se rritja e çmimit të arit që nga fillimi i vitit ka ndikuar në shitje. Sipas tyre, blerësit tashmë zgjedhin modele më të lehta dhe më të lira dhe nuk shpenzojnë si më parë.

Ekspertët e lidhin rritjen e çmimit të arit me kërkesën më të madhe të investitorëve për këtë metal si aset të sigurt në periudha të pasigurisë ekonomike dhe gjeopolitike. Në kërkesën për ar kanë ndikuar edhe rënia e çmimeve të naftës dhe pritshmëritë për ndryshime në politikën monetare të SHBA-së.

Në gjashtë vitet e fundit, çmimi i arit ka shënuar rritje të konsiderueshme. Në vitin 2020, një ons kushtonte rreth 2.070 dollarë, ndërsa në vitin 2026 çmimi ka arritur deri në 5.600 dollarë, që përfaqëson një rritje prej rreth 170 për qind.

Përveç arit, rritje të çmimeve kanë shënuar edhe metale të tjera të çmuara, përfshirë argjendin, platinin dhe paladiumin.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit