Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, është përfshirë në debatin për deklaratën e Macronit për vizat.
Përmes një shënimi në Facebook, ajo thotë se konstatimi i Macronit se liderët e Kosovës nuk e mbajnë fjalën është më i dëmshëm për Kosovën se çdo deklaratë për vizat.
“Më i dëmshëm është konstatimi i Presidentit Macron për lidershipin e Kosovës si njerëz të pabesë që nuk e mbajnë fjalën, sesa deklarata për viza”.
Ajo ka kritikuar edhe reagimin e kryediplomatës kosovare për këtë çështje.
“Ndërkohë reagimi i Ministres së Jashtme skandaloz. Diplomaci pa krye. Në rënie të lire”, ka shkruar tutje Çitaku.
Ndryshe, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.
“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron./Telegrafi/