Një zjarr i vogël ka shpërthyer sot, më 20 nëntor 2026, rreth orës 10:35, në tarracën e Repartit të Ortopedisë dhe Traumatologjisë, në katin e dytë të Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup. Sipas njoftimit të spitalit, punonjësit në katin e parë kanë ndier erë tymi dhe kanë vërejtur tym që dilte nga tarraca e repartit. Menjëherë janë njoftuar përgjegjësi i repartit dhe ekipi për evakuim. Falë reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të personelit, të gjithë pacientët janë evakuuar në mënyrë parandaluese dhe të sigurt, si dhe janë sistemuar në hapësira të sigurta. Zjarri është shuar me pajisjet kundër zjarrit të spitalit, ndërsa është thirrur edhe shërbimi zjarrfikës. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një bisht cigareje. Në vendin ku ka rënë zjarri nuk ka instalime elektrike apo të gazit. Dëmet materiale janë të papërfillshme, ndërsa shkaku i saktë dhe rrethanat e ngjarjes janë ende duke u hetuar. Nga spitali bëjnë të ditur se të gjithë pacientët dhe punonjësit janë të sigurt dhe se institucioni vazhdon punën normalisht.








