Reagim më i shpejtë i institucioneve, mbrojtje në kohë e viktimave dhe ndjekje më efikase e kryerësve janë qëllimet kryesore të masave të reja të dakorduara ndërmjet Prokurorisë Publike, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Politikës Sociale.
Në një takim pune në Prokurorinë Publike, prokurori publik Nenad Saveski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Gjoko Velkovski, kanë dakorduar hapa konkretë për veprim urgjent dhe të koordinuar në rastet e dhunës në familje.
Sipas protokollit të dakorduar, MPB-ja menjëherë pas pranimit të çdo denoncimi do të njoftojë prokurorinë kompetente. Prokurori publik do të koordinojë punën e një ekipi të përbërë nga inspektorë policorë dhe ekspertë nga qendrat për punë sociale.
Parashihet sigurimi urgjent i ekspertizave për lëndimet eventuale, vlerësimi i rrezikut dhe mbledhja e dëshmive, me qëllim marrjen më të shpejtë të vendimeve nga prokuroria dhe nisjen e procedurave kundër kryerësve.
Gjithashtu, të tre institucionet do të caktojnë persona kontaktues, të cilët do të jenë vazhdimisht në dispozicion për komunikim, koordinim dhe dhënie të udhëzimeve urgjente.
Nga institucionet presin që përmes forcimit të bashkëpunimit të mundësohet reagim më i shpejtë në çdo rast, mbrojtje dhe strehim në kohë i viktimave, si dhe ndjekje më efikase penale e kryerësve para gjykatave kompetente.








