Sipas BBC-së, zyrtarët europianë i kanë dhënë qeverisë britanike gjashtë muaj kohë për të pranuar kërkesën ose për të negociuar një zgjidhje alternative.
Kushti është bërë publik ndërsa kryeministri britanik Andy Burnham ndodhet në Bruksel për një samit me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Europian, António Costa.
Në qendër të negociatave është një marrëveshje që do t’u mundësonte deri në 100 mijë të rinjve nga vendet e BE-së të udhëtonin, studionin dhe punonin çdo vit në Britani. Të njëjtën mundësi do ta përfitonin edhe 100 mijë të rinj britanikë në vendet europiane.
Megjithatë, Brukseli kërkon që studentët e BE-së të paguajnë në universitetet britanike të njëjtat tarifa si studentët vendas, duke rikthyer një nga lehtësitë që ekzistonte përpara Brexit.
Aktualisht, tarifat për një program universitar në Britani mund të arrijnë deri në 9.790 paund në vit për studentët vendas, ndërsa për studentët ndërkombëtarë mund të shkojnë deri në 38 mijë paund.
Gjatë vitit akademik 2024–2025, në universitetet britanike studionin rreth 63.600 studentë nga vendet e Bashkimit Europian.
Kërkesa europiane pritet të shkaktojë kundërshtime nga universitetet britanike, shumë prej të cilave përballen me vështirësi financiare dhe varen nga të ardhurat më të larta që sigurojnë prej studentëve ndërkombëtarë.
Përveç lëvizjes së të rinjve, negociatat përfshijnë lehtësimin e tregtisë së produkteve ushqimore dhe bujqësore, bashkëpunimin për emetimet e karbonit dhe mundësinë e përfshirjes së Britanisë në tregun e përbashkët europian të energjisë elektrike.
Për këtë të fundit, BE-ja kërkon kontribute financiare britanike në buxhetin europian, një tjetër çështje politikisht e ndjeshme për Londrën.
Kryeministri Burnham e ka paraqitur afrimin me Brukselin si një mundësi për uljen e kostove ekonomike dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Por marrëveshja ka shkaktuar kundërshtime në politikën britanike.
Udhëheqësi i Reform UK, Nigel Farage, e ka cilësuar afrimin me BE-në një gabim të kushtueshëm dhe ka deklaruar se kryeministri nuk ka mandat demokratik për ndryshime të tilla.
Edhe konservatorët kanë paralajmëruar se Britania mund të përfundojë duke zbatuar rregullat europiane pa pasur të drejtë vote në përcaktimin e tyre.
Samiti konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme në marrëdhëniet Londër–Bruksel që prej daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian.
Megjithatë, kushti për tarifat universitare tregon se rikthimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik nuk do të jetë pa kosto dhe se marrëveshja përfundimtare mbetet e kushtëzuar nga negociatat e muajve të ardhshëm.








