Autoritetet bullgare kanë kthyer një ngarkesë prej 11.6 tonësh speca të freskët në Maqedoni, pasi testet laboratorike treguan praninë e pesticidit formetanat mbi nivelin e lejuar. Ngarkesa nuk u lëshua për shitje në tregun bullgar dhe, me urdhër të Agjencisë Bullgare të Sigurisë Ushqimore, u kthye në vendin e origjinës në bashkëpunim me Agjencinë Doganore.
Specat mbërritën në Bullgari nga Maqedonia e Veriut nëpërmjet pikës kufitare të Zlatarevos dhe ishin të destinuar për një operator tregtar në Petrich. Atje ngarkesa u ndalua ndërsa priteshin rezultatet e testit laboratorik.
E gjithë sasia u vu nën një ndalim zyrtar tregtar dhe u ruajt në një depo të ftohtë në vendin e marrësit. Vetëm pasi analizat treguan se mbetjet e formetanatit ishin mbi nivelet e lejuara, Agjencia Bullgare e Sigurisë Ushqimore urdhëroi që specat t’i ktheheshin furnizuesit.






