Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj konferencës për media të VLEN-it lidhur me autostradën Shkup–Bllacë, duke deklaruar se koalicioni nuk ka asnjë kontribut në realizimin e këtij projekti.
“E shoh se VLEN paska organizuar sot konferencë për shtyp për autostradën Shkup–Bllacë.
Me përgjegjësinë më të madhe e them: VLEN nuk ka asnjë kontribut, as më të voglin, në kontratën e nënshkruar për këtë autostradë.
Financimi i projektit, hartimi i dokumentacionit, sigurimi i mjeteve financiare, shpronësimet, procedurat administrative dhe shpallja e tenderit janë realizuar të gjitha gjatë qeverisjes së Bashkimit Demokratik për Integrim.
Gjatë këtyre dy viteve, VLEN nuk ka bërë asnjë hap për ta çuar projektin përpara. Përkundrazi, e vetmja gjë që kanë tentuar ka qenë ta bllokojnë dhe ta devijojnë trasenë. Fakti që ne realizuam segmentin e parë prej 2 kilometrash ua pamundësoi ta kthenin projektin nga autostradë në rrugë magjistrale.
Prandaj, për këtë projekt nuk mund të marrin merita ata që nuk kanë vendosur asnjë gur të vetëm”, ka shkruar Osmani.





