Një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme shiu, erë të fortë, bubullima dhe breshër, ka përfshirë pasditen e sotme disa rajone të vendit.
Sipas informacioneve të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), paqëndrueshmëria atmosferike është zhvendosur nga perëndimi drejt lindjes, duke sjellë reshje të dendura në disa zona. Meteorologët paralajmërojnë se moti i paqëndrueshëm, me stuhi lokale, do të vazhdojë edhe nesër, përfshirë edhe rajonin e Shkupit.
Vatrat e para të fuqishme të paqëndrueshmërisë u formuan pasditen e sotme në veri dhe veriperëndim të Kërçovës, si dhe në rrethinën e Dibrës dhe Manastirit. Sistemi i vranësirave u intensifikua shpejt dhe u zhvendos drejt Brodit të Maqedonisë, ku u regjistruan erëra të fuqishme dhe breshër i imët.
Reshje të rrëmbyeshme të shoqëruara me bubullima përfshinë pjesë të Gostivarit dhe Negotinës, ndërsa më vonë stuhia u zhvendos në perëndim të Velesit dhe drejt Koçanit.
Në orën 17:00, stacionet zyrtare të DPHM-së regjistruan temperaturat më të larta prej 36,9 gradësh në Gjevgjeli dhe 36,6 gradësh në Demir Kapi. Në Strumicë, ndërkohë, janë regjistruar 45,4 litra reshje shiu për metër katror, duke bërë që temperatura të ulet në 21,3 gradë.
Moti i lig, me reshje të rrëmbyeshme, erë dhe bubullima, ka përfshirë edhe Shkupin. Në disa pjesë të Luginës së Shkupit është vërejtur paqëndrueshmëri më e theksuar atmosferike, ndërsa lokalisht ekzistojnë kushte edhe për breshër.
DPHM-ja njofton se nesër paradite moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë, ndërsa gjatë pasdites pritet një valë e re e paqëndrueshmërisë. Në disa zona, proceset atmosferike mund të jenë më intensive, me mundësi për stuhi lokale, breshër, erë të fuqishme veriore dhe reshje të rrëmbyeshme shiu.
Paqëndrueshmëria pritet të qetësohet plotësisht deri në fund të javës së punës. Nga e premtja, 4 shtator, pritet periudhë me mot kryesisht me diell dhe të ngrohtë, me vranësira të pakta deri mesatare.
Temperaturat ditore do të shënojnë sërish rritje. Të premten dhe të shtunën ato do të lëvizin nga 28 deri në 36 gradë, ndërsa të dielën, më 6 shtator, temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 37 gradë.






