12.8 C
Skopje
Friday, May 17, 2024

Boki 13 pretendon se Kamçev dhe Ruskovska e dinë se ku është milionëshi nga çanta Louis Vuitton nga rasti “Reket”

Bojan Jovanovski, i njohur në opinion si Boki 13, sot në një konferencë për media para Gjykatës Themelore Penale në Shkup tha se po kërkon një procedurë gjyqësore të drejtë, jo histerike dhe të shpejtë për rastin “Aleanca Ndërkombëtare”. Në deklaratën e tij, e cila është e para që nga pezullimi i dënimit me burg për “Reket” për arsye shëndetësore, ai përmendi emrat e ish-kryetares së PThP NKOK, Vilma Ruskovska, ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov, biznesmenit Orce Kamçev, transmeton Portalb.mk.

Jovanovski është dënuar me 9 vjet burg për “Reketin”, por thotë se ky rast nuk i është zbardhur, dhe paratë, mbi një milion euro që ishin pjesë e kësaj procedure dhe të cilta nuk u gjetën kurrë, Boki 13 pohon se Ruskovska dhe Kamçev e dinë se ku janë.

“Aleanca ndërkombëtare është shfuqizuar dhe unë vetëm shpresoj dhe kërkoj një procedurë të drejtë gjyqësore. Aktualisht jam një person i dënuar ligjërisht, por dënimi me burg është pezulluar për arsye shëndetësore. Nuk dua të abuzohet me pamjen time dhe publiku të thotë se jam mirë, por kam dokumentacion të plotë për shëndetin tim të keq. Unë kam indikacione se ka gjasa që do të duhet të ndërhyhet më shumë dhe këtë gjë nuk ia dëshiroj askujt”, tha Jovanovski.

Për të çështja “Reket” nuk ka marrë zgjidhje edhe pse ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.

“Reket nuk është pastruar, publiku duhet ta marrë vesh se çfarë ka ndodhur. Zoran Zaev pretendon se ka ditur për Reketin në kuptimin që ka mbrojtur ligjin. Zaev ishte njeriu që komunikonte drejtpërdrejt me këta njerëz dhe ishte një njeri nga pozita e pushtetit që mund të ndikonte, ai është çdo gjë tjetër përveç një njeri që mbrojti ligjin. Zaev ka ndikuar që Jordan Kamçev t’i kthehet pasaporta dhe unë kam prova për këtë. Sa i përket parave të “Reketit”, Ruskovska dhe Kamçev e dinë se ku janë. Ruskovska, me këtë lëndë bëri vetëpromovim. Ajo fillimisht pretendoi se paratë ishin në shtëpinë time, pastaj unë i shpenzova në televizionin tim TV 1, për të thënë në fund se ishin shpenzuar për garderobën që kisha veshur, e cila ishte konfiskuar. Këto janë tre deklarata të ndryshme. Ruskovska foli ashtu si t’i qëllonte dita, jo me argumente”, shtoi Boki 13.

Ai në deklaratë ka përmendur edhe Zoran Milevski Kiçeec, i cili ka qenë pjesë e “Reketit”, por që e ka pranuar fajësinë dhe ka marrë dënim me kusht.

“Zoran Milevski e pranoi fajin dhe i hapi rrugën një dënimi. Nëse Kiçeec do të pyetej sot se çfarë ka rrëfyer, ai nuk do ta dinte se çfarë ka rrëfyer. “Reket” nuk është një rast i qartë. Ka pasur një plejadë politike për këtë rast dhe këta janë njerëz që edhe sot kanë pozitë pushteti dhe funksioni”, shtoi Jovanovski.

Ai ka thënë se edhe pse është shtetas civil, është gjykuar për veprime zyrtare. Ai e krahasoi veten me Mijallkovin dhe Gruevskin, të cilët ishin gjykuar edhe për nenin 359 të Kodit Penal, por siç tha ai, ata të dy janë gjykuar si zyrtarë dhe ai është gjykuar për të njëjtin veprim zyrtar, por si qytetar civil.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit