Bilall Kasami: Për 24 muaj bëmë më shumë punë sesa ishte bërë për 24 vjet

Në Kuvendin themelues të VLEN-it, të mbajtur në Tetovë, bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, tha se bashkimi i pesë subjekteve politike në një të vetëm përfaqëson një hap historik drejt konsolidimit të skenës politike shqiptare dhe një mundësi për përfaqësim më të mirë të qytetarëve.

 

Kasami theksoi se, pavarësisht se VLEN ka qenë në fazë konsolidimi, në vetëm dy vjet qeverisje ka arritur të realizojë një sërë projektesh dhe të zgjidhë çështje që, sipas tij, kishin mbetur të pazgjidhura për dekada.

 

“Për 24 muaj, arritëm të zgjidhim probleme, të ndërtojmë e të zhvillojmë politika më shumë sesa kishin bërë ata para nesh për 24 vjet. Edhe pse ishte ndër pikat më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit, ata për 24 vjet nuk sollën ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ne po e bëjmë për 24 muaj.”

 

Në fjalimin e tij, ai përmendi si shembuj ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, mundësimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, njohjen e diplomave të medresesë, avancimin e punimeve për Korridorin 8 dhe rrugën Shkup-Bllacë, funksionalizimin e sistemit One Stop Shop me Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe investimet në Spitalin e Tetovës, Spitalin e Kërçovës dhe Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”.

 

Kasami vlerësoi gjithashtu investimet në Tetovë dhe angazhimin për largimin e lojërave të fatit nga lagjet, duke theksuar se VLEN ka zgjedhur punën konkrete në vend të retorikës politike.

 

“Faktet janë të qarta dhe kokëforta. Për 24 vjet shqiptarët i qeverisën me demagogji të zbrazët, me propagandë e gënjeshtra. Me ardhjen e VLEN-it, shqiptarët kanë hyrë në epokën e punës, ndërtimit dhe zhvillimit. Atyre ua kemi lënë zhurmën dhe fjalët boshe, ne iu kemi përveshur punës dhe projekteve.”

 

Kasami në fund u bëri thirrje aktivistëve, rinisë dhe funksionarëve të VLEN-it që të prezantojnë para qytetarëve punën dhe rezultatet e arritura, duke theksuar se faktet dhe projektet konkrete janë përgjigjja më e mirë ndaj propagandës politike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit