Maqedonia e Veriut duhet të marrë njohje konkrete për proceset reformuese dhe përparimin që ka arritur në rrugën evropiane, vlerësoi raportuesi për vendin në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, gjatë debatit kushtuar së ardhmes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, aktivitetet reformuese që po ndërmerr shteti tashmë po japin rezultate dhe ato nuk duhet të mbeten pa u vënë re nga Brukseli. Waitz mendon se BE duhet të ofrojë përfitime të dukshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, ndër të cilat edhe integrim më të madh në tregun evropian dhe në zonën e roaming-ut.
“Republika e Maqedonisë së Veriut ka treguar përparim dhe ka zbatuar reforma të rëndësishme. Në vend ekziston një dinamikë pozitive dhe për këtë arsye është e rëndësishme që këto përpjekje të vlerësohen në mënyrë të duhur,” porositi Waitz.
Në këtë kontekst, Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, vlerëson se qëndrimet e raportuesit Waitz përfaqësojnë njohje të qartë të progresit që vendi po bën në agjendën evropiane dhe të rolit aktiv të institucioneve në zbatimin e reformave.
“Ky është një mesazh i rëndësishëm që vjen në një moment kyç për vendin tonë. Fakti që në Parlamentin Evropian njihet progresi i Maqedonisë së Veriut dhe theksohet mundësia që vendi të bëhet anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian është inkurajim për të gjitha institucionet që të vazhdojnë me ritëm edhe më të fuqishëm reformat. Evropa e sheh Maqedoninë e Veriut si pjesë të familjes evropiane dhe detyrimi ynë është që përmes rezultateve ta arsyetojmë këtë besim”, deklaroi Sali.
Sipas tij, këto vlerësime konfirmojnë se procesi i integrimit po ecën në drejtimin e duhur dhe se mbetet e rëndësishme vazhdimi i reformave dhe bashkëpunimit me BE-në për të ruajtur këtë dinamikë pozitive.





