Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e nisjes së sesionit të ri parlamentar, u bëri thirrje forcave politike për bashkëpunim, angazhim dhe dialog, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet të pengojnë punën në interes të vendit.
“Mandatet dhe bindjet politike janë të ndryshme, por përgjegjësia ndaj Shqipërisë është e përbashkët”, u shpreh Begaj, duke uruar që sesioni i ri të fokusohet në forcimin e institucioneve, rritjen e besimit të qytetarëve dhe avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Sipas Presidentit, një demokraci e konsoliduar nuk nënkupton mungesën e dallimeve, por aftësinë për t’i përballuar ato përmes dialogut dhe argumenteve. Ai theksoi se protestat paqësore dhe shprehja e lirë e mendimeve janë pjesë e natyrshme e jetës demokratike.
Begaj nënvizoi gjithashtu rëndësinë e Kuvendit si institucion ku dallimet politike duhet të debatohen dhe të shndërrohen në zgjidhje konkrete për qytetarët.
Duke folur për integrimin evropian, Presidenti tha se në këtë proces duhet të kontribuojnë të gjitha institucionet dhe forcat politike. Ai veçoi edhe reformën në drejtësi, duke e cilësuar konsolidimin e saj si një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të shtetit.
Begaj vlerësoi rezultatet e SPAK-ut dhe theksoi se reforma duhet të garantojë një drejtësi të pavarur, të paanshme dhe efikase, në përputhje me standardet evropiane.






