Administrata Doganore ka nisur zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës kufitare, përmes vendosjes së sistemeve të mençura për automatizimin e terminaleve doganore. Për këtë qëllim, Bashkimi Evropian ka siguruar grant prej dy milionë euro.
Pas shpalljes së thirrjes publike, është nënshkruar kontrata me operatorin për furnizimin me pajisje, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në projektin që pritet të përfundojë deri në mesin e vitit të ardhshëm, njoftojnë nga Dogana.
“Automatizimi i terminaleve do të mundësojë qarkullim dukshëm më të shpejtë të mallrave dhe ulje të kohës së pritjes dhe kostove operative për operatorët ekonomikë. Me zëvendësimin e rampave dhe peshoreve ekzistuese me sisteme të reja digjitale të mbështetura nga kamera analitike të avancuara, importi, eksporti dhe tranziti do të regjistrohen automatikisht — për vetëm disa sekonda pas hyrjes së automjetit transportues në terminal”, thuhet në njoftim.
Peshoret dhe rampat automatike do të lidhen drejtpërdrejt me sistemin e video‑mbikëqyrjes dhe me sistemin për njohjen e targave, për të cilin është në proces furnizimi i softuerit integrues. Kjo do të mundësojë kontroll më efikas dhe qarkullim më të shpejtë të tregtisë së ligjshme, në përputhje me standardet e BE‑së.
Nga Administrata Doganore theksojnë se përdorimi i këtyre sistemeve do të ulë ndikimin e faktorëve njerëzorë, duke shërbyer si një prej mekanizmave të rëndësishëm për luftë efikase kundër krimit dhe korrupsionit. përcjell Zhurnal.mk .






