Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër lidhur me një tender të fundit në MEPSO, duke ngritur dyshime për, siç thuhet, një rrjet të organizuar favorizimi partiak dhe keqpërdorimi të parasë publike..
Sipas BDI-së, kompania “Green Maintenance”, e themeluar vetëm pak javë para shpalljes së tenderit, ka arritur të fitojë kontratë me vlerë deri në 236 mijë euro për pastrimin e korridoreve nën largpërçues.
“Skandali i ri në MEPSO ngre dyshime serioze për një rrjet të organizuar favorizimi partiak dhe keqpërdorimi të parasë publike”, thuhet në reagimin e partisë.
Nga BDI theksojnë se kompania në fjalë nuk ka histori pune, kapacitet të dëshmuar dhe as prani reale në terren, duke e bërë fitimin e tenderit, sipas tyre, edhe më të dyshimtë.
“Ajo që e bën rastin edhe më skandaloz është fakti se njëri nga pronarët e kompanisë, Shaban Shefki, shfaqet publikisht si aktivist dhe përkrahës i VLEN-it dhe Izet Mexhitit, ndërsa kontratën e nënshkruan drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, kushëri i parë i Izet Mexhitit”, deklarojnë nga BDI.
Partia opozitare e lidh këtë rast edhe me skandalet e mëhershme në këtë institucion.
“Ky nuk është rast i izoluar. MEPSO tashmë është në qendër të opinionit për skandalin me largpërçuesin drejt Shqipërisë, ku shteti duhet të paguajë miliona euro dëm”, thuhet më tej në reagim.
Sipas BDI-së, ndërkohë që qytetarët përballen me krizë ekonomike dhe rritje të çmimeve, persona të afërt me pushtetin po përfitojnë nga tenderët publikë.
“Ndërkohë që qytetarët përballen me krizë ekonomike dhe çmime të larta, njerëz të afërt me pushtetin hapin kompani brenda natës dhe fitojnë tenderë publikë me qindra mijëra euro”, thekson partia.
BDI ka kërkuar reagim institucional dhe hetim të menjëhershëm.
“Kërkojmë nga Komisioni Antikorrupsion, Enti Shtetëror për Revizion dhe Prokuroria që menjëherë të hapin procedurë dhe të hetojnë nëse pas këtij tenderi qëndron një skemë e organizuar për nxjerrjen e parasë publike”, deklarojnë nga partia
Në fund, BDI porosit se “qytetarët meritojnë institucione, jo arkë partiake dhe familjare”.
Për rastin në fjalë raportoi edhe Portal X. “Derisa kompanitë përballen me çmimet e tregut, dega italiane e “Green Maintenance”, e vendosur në fshatin Gllumovë të Shkupit, arriti ta “fundosë” konkurrencën në tenderin e MEPSO-s për pastrimin e korridoreve nën largpërçues, të lidhur në fund të tetorit 2025”, denoncoi portali.





