BDI reagon për vendimin e djeshëm në KSHZ: U mbivotuam

Advertisement

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj vendimit të djeshëm në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), ku sipas tyre erdhi në shprehje mbivotimi etnik mbi përfaqësuesen shqiptare Ditmire Shehu, si e vetme në seancë, “me ç’rast ulën në mënyrë të njëanshme numrin e këshilltarëve në komunat shqiptare, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale”.

“Në shtator të vitit 2024, kjo qeveri monoetnike solli një vendim antikushtetues për uljen e numrit të këshilltarëve. Të vetëdijshëm për shkeljen që bënë, tre muaj më parë tentuan ta ndryshojnë Ligjin për vetëqeverisje lokale, por Fronti Europian e bllokoi këtë iniciativë duke patur në dispozicion shumicën e Badinterit. Sot, megjithëse ligji nuk kaloi, megjithëse Kushtetuta është e qartë dhe megjithëse ekziston vendim i Gjykatës Kushtetuese, ata përsëri shkelën çdo normë juridike dhe demokratike”, thotë BDI-ja.

BDI thotë se me këtë vendim, komunat shqiptare dëmtohen drejtpërdrejt, vetëm në Gostivar numri i këshilltarëve ulet nga 31 në 23; ndërsa në Strugë, Kërçovë, Vrapçisht, Zhelinë dhe Tearcë ulen nga 4 këshilltarë për secilën komunë. Për më tepër, diaspora përjashtohet nga përllogaritja zyrtare, duke e dëmtuar edhe më shumë përfaqësimin dhe zhvillimin ekonomik të komunave tona.

“Sigurisht se anëtares së KSHZ-së, Ditmire Shehut, nuk i mbetet asgjë tjetër, përpos që ta vazhdoj betejën e saj ligjore para Gjykatës Administrative, siç edhe vetë paralajmëroi”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit