BDI publikon kontratën: Dyshime për skandal energjetik dhe dëm 6 milionë euro

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka publikuar një kontratë që, sipas tyre, dëshmon mënyrën e dyshimtë të menaxhimit të projekteve strategjike energjetike në vend.

Bëhet fjalë për një nga marrëveshjet e nënshkruara nga Burim Latifi me kompaninë “Elnos” nga Republika Serpska, për ndërtimin e largpërçuesit ndërmjet Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Sipas BDI-së, kjo kontratë ngre disa shqetësime serioze. Ata theksojnë se kompania fituese ka afërsi me struktura politike në Republika Serpska, përfshirë rrethin e Milorad Dodik, duke ngritur dilema për ndikime politike në projekte strategjike.

BDI gjithashtu kritikon mungesën e transparencës në procesin e përzgjedhjes dhe negocimit, duke theksuar se procedurat kanë qenë të mbyllura për publikun. Sipas tyre, kjo marrëveshje i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej së paku 6 milionë euro.

Nga kjo parti kërkohet:

Hetim i menjëhershëm dhe i pavarur

Publikimi i plotë i dokumenteve të projektit

Përgjegjësi politike dhe ligjore për të gjithë të përfshirët

Sipas BDI-së, një projekt që duhej të forconte bashkëpunimin energjetik dhe perspektivën euroatlantike të vendit, është kthyer në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së llogaridhënies.

Ata shtojnë se qytetarët meritojnë transparencë të plotë dhe mbrojtje të parasë publike, duke kërkuar që institucionet të reagojnë pa vonesë.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit