Në ditën kur shqiptarët po përballen me pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi emërtimet e rrugëve me përmbajtje dhe simbolikë shqiptare në Tetovë, eksponentët e VLEN-it vazhdojnë të merren me BDI-në, duke përsëritur akuza të shteruara.
Në vend që të japin llogari se si u lejua rikthimi i emrave të periudhës jugosllave dhe zhbërja e një pjese të identitetit historik shqiptar në Tetovë, ata vazhdojnë të kërkojnë fajtorë aty ku nuk janë. Kjo është dëshmi e mungesës së vizionit, guximit dhe përgjegjësisë politike.
Ironia është se ndërsa VLEN nuk sheh asgjë problematike në drejtimin që po merr shteti, Parlamenti Evropian në raportin e tij më të fundit ka ritheksuar shqetësimet për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “Botë Serbe” në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. Institucionet evropiane e shohin rrezikun, e identifikojnë dhe e adresojnë atë publikisht.
Por VLEN jo.
VLEN nuk e pa problem sjelljen në qeveri të eksponentëve që promovojnë narrativat e “Botës Serbe”. Nuk e pa problem depërtimin e ndikimeve politike dhe ekonomike që burojnë nga ky koncept. Nuk e pa problem sulmin ndaj Balancuesit. Nuk e pa problem relativizimin e mekanizmit të Badenterit. Nuk e pa problem përpjekjet për dobësimin e pozitës së gjuhës shqipe. Nuk e pa problem as vendimin që sot po kthen në Tetovë emra dhe simbole të një periudhe që shqiptarët e kanë tejkaluar historikisht.
Parlamenti Evropian e sheh. Shqiptarët e shohin. Opinioni publik e sheh.
Vetëm VLEN nuk e sheh.
Dhe arsyeja është e qartë. Ata janë verbuar nga dy gjëra: nga jugonostalgjia e tyre dhe nga obsesioni i tyre me BDI-në.
BDI do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e fituara të shqiptarëve, identitetin kombëtar dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, pavarësisht përpjekjeve të atyre që sot heshtin përballë kthimit të simboleve të së kaluarës dhe sulmeve ndaj arritjeve historike të shqiptarëve.





