BDI ka reaguar lidhur me publikimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën shqipe, duke kërkuar sqarime nga institucionet kompetente.
Sipas BDI-së, procesverbali i fundit i publikuar në gjuhën shqipe në faqen zyrtare të Qeverisë është i datës 19 shtator 2025. Nga atëherë, sipas partisë, janë mbajtur 83 seanca të Qeverisë, ndërsa procesverbalet për këto mbledhje nuk janë të qasshme në versionin shqip të faqes zyrtare.
Nga BDI vlerësojnë se bëhet fjalë për dokumentacion zyrtar dhe kërkojnë që Qeveria të sqarojë arsyet përse procesverbalet nuk janë publikuar në gjuhën shqipe.
Partia kërkon gjithashtu që të bëhet e ditur nëse dokumentet janë përgatitur në gjuhën shqipe, kush është përgjegjës për publikimin e tyre dhe kur pritet të jenë të qasshme për publikun.
BDI iu referohet edhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe kërkon që institucionet kompetente të vlerësojnë nëse në këtë rast janë respektuar dispozitat ligjore.
Nga partia kërkojnë gjithashtu që të publikohen procesverbalet që mungojnë dhe që Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të shqyrtojë situatën dhe të veprojë në përputhje me kompetencat e tij.
Reagimi i BDI-së vjen në kuadër të debatit të vazhdueshëm politik për zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.






