Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për emërtimin e rrugëve në Tetovë, duke bërë të ditur se ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për ri-miratimin e vendimit të vitit 2006 informon Tetovasot.
Nga BDI vlerësojnë se Tetova nuk duhet të kthehet dy dekada pas dhe se emërtimet e rrugëve përfaqësojnë identitetin, historinë dhe dinjitetin e qytetit.
“Sot kërkuam seancë të jashtëzakonshme për ri-miratimin e vendimit të vitit 2006 për emërtimin e rrugëve, pas aktvendimit skandaloz dhe antishqiptar të Gjykatës Kushtetuese. Identiteti, historia dhe dinjiteti i Tetovës nuk negociohen”, thuhet në reagimin e partisë.
Ky reagim vjen pas debatit të gjerë të hapur në opinion lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka nxitur reagime të shumta nga partitë politike shqiptare dhe personalitete të jetës publike.
BDI thekson se do të vazhdojë të mbrojë vendimet që, sipas saj, lidhen me ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë historike të shqiptarëve në Tetovë.TS





