Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke e akuzuar për standarde të dyfishta lidhur me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe qëndrimin e tij ndaj procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Nga BDI-ja thonë se, pavarësisht kërkesave të përsëritura të studentëve dhe protestave të organizuara, Shasivari vazhdon të kërkojë kohë dhe konsultime, duke paralajmëruar një zgjidhje për provimin e jurisprudencës në shqip deri në muajin tetor.
“Në çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ministrit Shasivari i duhet kohë, konsultime dhe deri në tetor për të ofruar një zgjidhje. Por, për aktgjykimin e Hagës ndaj krerëve të UÇK-së, Shasivari si ‘kosmopolit’ nuk pati nevojë të presë. Ai reagoi para se aktgjykimi të shpallej”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, këtu qëndron edhe paradoksi i veprimit të ministrit: për një të drejtë konkrete të studentëve shqiptarë kërkon kohë, ndërsa për një aktgjykim që ende nuk ishte shpallur, nxitoi të pozicionohej.
BDI-ja rikujton se Shasivari, derisa ishte profesor universitar, kishte kundërshtuar publikisht ish-ministrin e Drejtësisë, Igor Filkov, për moslejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas partisë, ai tani, në cilësinë e ministrit, po e relativizon të njëjtën çështje.
“Kur shqiptarët protestojnë shtatë ditë me radhë për UÇK-në, Shasivari justifikohet duke thënë se qëndrimi i tij është në përputhje me institucionet evropiane. Ky është ‘kosmopolitizmi’ i VLEN-it dhe Jeton Shasivarit”, thekson BDI-ja.
Nga kjo parti thonë se as protestat për ish-krerët e UÇK-së dhe as kërkesat e vazhdueshme të studentëve shqiptarë nuk e kanë bindur ministrin ta ndryshojë qëndrimin.
“Për aktgjykimin e Hagës, para se ta dinte përmbajtjen, kishte qëndrim. Për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe kur e lexon ligjin, nuk ka qëndrim”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, BDI-ja kërkon që Jeton Shasivari të marrë përgjegjësi politike dhe të largohet nga posti i ministrit të Drejtësisë. “Dorëheqje, Jeton Shasivari!”, përfundon reagimi i BDI-së.






